
Trepça ’89 përforcohet me Rinor Jahmuratajn
Skuadra e Trepçës ’89 është përforcuar me sulmuesin Rinor Jahmurataj, i cili në klubin mitrovicas transferohet nga FC Besa Peja.
“Klubi Futbollistik Trepça’89 me kënaqësi njofton afrimin e sulmuesit të shpejtë dhe teknik, Rinor Jahmurataj, i cili i bashkohet skuadrës sonë nga KF Besa Pejë! Jahmurataj është një emër i njohur për tifozët e futbollit vendor – një lojtar me shpërthim, driblime të shpejta dhe aftësi për të krijuar rrezik në krahët e sulmit. Ai tashmë është bërë pjesë e skuadrës në fazën përgatitore dhe pritet të jetë një armë e fortë në repartin ofanziv për sezonin 2025/26”, thuhet në njoftimin e Trepçës ‘89.
Në të kaluarën, Rinori ka shkëlqyer me fanellën e Besa Pejës, ku u dallua si një ndër lojtarët më aktivë dhe më të rrezikshëm në fazën sulmuese.
“Jam i lumtur që i bashkohem një klubi si Trepça’89. Vlerësoj mundësinë që më është dhënë dhe do të jap gjithçka për të kontribuar në objektivat e ekipit”, u shpreh Jahmurataj pas nënshkrimit të marrëveshjes.