Trepça fiton derbin ndaj Sigal Prishtina, Bora mposht Bashkimin

21 shkurt 2026 | 23:57

Trepça e ka mposhtiur Sigal Prishtinën me rezultat 86:84 në një ndeshje dramatike në kryeqytet. E Bora ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Bashkimit me rezultat 86:71 në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë.

Të dyja ndeshjet kanë qenë në kuadër të javës së njëzet e një të Superligës së Kosovës në basketboll. 

Në takimin ku kanë fituar mitrovicasit ndeshja ka qenë e baraspeshuar nga fillimi. Prishtina e ka fituar çerekun e parë 22:18, ndërsa Trepça ka reaguar në të dytin duke triumfuar 27:19.

Në çerekun e tretë, vendasit janë rikthyer me epërsinë me 23:16, por në dhjetëminutëshin e fundit mitrovicasit kanë treguar qetësi dhe vendosmëri, duke e fituar atë 25:20 dhe gjithë ndeshjen 86:84.

Shawn Jones është dalluar te Trepça me gjashtëmbëdhjetë pikë, gjashtë kërcime dhe një asistim. Kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe Kenneth Hasbrouck me dymbëdhjetë pikë, tri kërcime dhe nëntë asistime.

Te Prishtina më i miri ka qenë Alex Lomax me njëzet e katë pikë, shtatë kërcime dhe shtatë asistime.

Për Trepçën kjo ishte fitorja e dymbëdhjetë rresht në kampionat, vetëm pak ditë pasi e ka fituar edhe Kupën e Kosovës duke e mposhtur Bashkimin në finale. Ndërkohë, për Prishtinën kjo ka qenë humbja e trembëdhjetë këtë sezon, krahas tetë fitoreve.

Në ndeshjen tjetër të javës, Bora është treguar më e mirë se sa Bashkimi.

Vendasit e kanë nisur më mirë duke fituar çerekun e parë 20:14 dhe të dytin 23:18, për ta mbyllur pjesën e parë me epërsi 43:32. Bashkimi ka reaguar në çerekun e tretë (22:18), por nuk ka arritur ta përmbysë rezultatin, pasi Bora e ka fituar sërish periodën e fundit 25:17.

Tyler Cheese ka qenë lojtari më i dalluar me tridhjetë e dy pikë, shtatë kërcime dhe tri asistime. Ndërsa te Bashkimi është veçuar Kenny Wooten me trembëdhjetë pikë dhe katër kërcime.

Për Borën kjo ishte fitorja e njëmbëdhjetë këtë edicion (dhjetë humbje), ndërsa Bashkimi e ka pësuar disfatën e shtatë dhe mbetet me katërmbëdhjetë fitore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndërruar jetë ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi…