Trepça regjistron fitore ndaj Bashkimit

07 mars 2021 | 20:21

Trepça ka shënuar fitore ndaj Bashkimit me shifrat 88:72 (26:13, 17:29, 23:14, 22:16), në kuadër të javës së 22-të në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll.

Pas rezultatit 0:4, vendasit me një seri prej 11:0, morën lojën në duar dhe ishin më të mirë në çerekun e parë, duke e përmbyllur me shifrat 26:13. Por, mysafirët nga Prizreni, u kundërpërgjigjën në periudhën e dytë, duke e fituar 17:29, duke shkuar në pushim me rezultat 43:42.

Mitrovicasit ishin për një nuancë më të mirë në periodën e tretë, ku pas një lojë të baraspeshuar, në dy minutat e fundit vendasit shkëputen në 10 pikë epërsi, 66:56, sa ishte rezultati pas 30 minutave. Në 10 minutat e fundit, ‘Xehetarët’ thelluan edhe më shumë epërsinë, ku më e larta ishte 26 pikë, 82:56, kurse prizrenasit nuk arritën të bëjnë më shumë sesa të ngushtojnë shifrat, derisa Trepça triumfoi në fund 88:72.

Te Trepça u dalluan Ivan Koljeviq me 24 pikë e 9 asistime, Drilon Hajrizi me 16 pikë, 10 kërcime e 10 asistime dhe Besnik Azemi me 17 pikë e 5 kërcime, kurse te Bashkimi u dalluan Christian Lutete me 28 pikë e 9 kërcime dhe Obinna Oleka me 13 pikë e 24 kërcime.

Trepça tani ka 9 fitore dhe 13 humbje, kurse Bashkimi 10 fitore dhe 12 humbje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zvicra votoi ngushtë në një referendum për të ndaluar gratë…