Tri ditë zie në Iran
Qeveria iraniane ka shpallur tre ditë zie kombëtare për “dëshmorët”, përfshirë anëtarë të forcave të sigurisë të vrarë gjatë dy javëve të protestave, njofton televizioni shtetëror. Qeveria e përshkruan situatën si një “betejë të rezistencës kombëtare iraniane kundër Amerikës dhe regjimit zionist”.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në një “marshim të rezistencës kombëtare”, me tubime mbarëkombëtare nesër për të dënuar dhunën, e cila sipas qeverisë është kryer nga “kriminelë terroristë urbanë”, raporton televizioni shtetëror.
Irani ka paralajmëruar se do të hakmerret nëse sulmohet nga SHBA-të. BBC-ja ka numëruar rreth 180 thasë me trupa të pajetë në pamje nga afër Teheranit. Agjencia amerikane Human Rights Activist News Agency (HRANA) thotë se ka verifikuar vdekjen e 495 protestuesve dhe 48 pjesëtarëve të forcave të sigurisë në mbarë vendin.
Sipas agjencisë, edhe 10 600 persona të tjerë janë ndaluar gjatë dy javëve të trazirave. SHBA-të kanë kërcënuar se do të godasin Iranin për vrasjen e protestuesve dhe presidenti Donald Trump tha të shtunën se SHBA-të “është gati të ndihmojë”, ndërsa Irani “po shikon drejt lirisë”.
Trump nuk dha detaje se çfarë po shqyrtojnë SHBA-të. Një zyrtar i tha partnerit amerikan të BBC-së, CBS, se ai është informuar për opsione për sulme ushtarake ndaj Iranit.
Qasje të tjera mund të përfshijnë forcimin e burimeve antiqeveritare online, përdorimin e armëve kibernetike kundër ushtrisë iraniane dhe vendosjen e sanksioneve shtesë, u thanë zyrtarët Wall Street Journal.
Kryetari i parlamentit iranian paralajmëroi se, nëse SHBA-të sulmojnë, si Izraeli ashtu edhe qendrat ushtarake dhe të transportit detar të SHBA-ve në rajon do të bëhen objektiva legjitime. Protestat, të cilat nisën për shkak të rritjes së fortë të inflacionit, tani po kërkojnë fundin e sundimit klerikal të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.



