
Tri klubet e mëdha spanjolle në garë për Seskon
Gazeta “Diario AS”, raporton se tri klubet e La Ligës, Real Madrid, Barcelona dhe Atletico Madrid janë duke e monitoruar me vëmendje sulmuesin e RB Leipzig, Benjamin Sesko. Reali thuhet se është më i interesuari për 20-vjeçarin, teksa “Los Blancos” po kërkojnë një qendërsulmues klasik për të forcuar repartin ofensivë në sezonet e ardhshme.
Edhe pse te Real Madridi, Kylian Mbappe është sulmuesi kryesor, drejtuesit e klubit po shohin në Seskon një investim afatgjatë me potencial të madh për zhvillim. Ndërkohë, Barcelona është gjithashtu në kërkim të një zëvendësuesi afatgjatë për Robert Lewandowskin, i cili është në vitet e fundit të karrierës. Sesko shihet si një profil ideal për të zëvendësuar polakun, dhe sipas raportimeve, katalanasit mund të bëjnë një përpjekje serioze për ta sjellë atë në “Camp Nou”.
Interesimi i Atletico Madridit është më i rezervuar, por gjithsesi ekziston, pasi trajneri Diego Simeone po kërkon të forcojë ofensivën me alternativa të reja.