
Tri OJQ kërkojnë nga Osmani të mos e dekretojë Isufajn për kryeprokuror
Propozimi i Blerim Isufajt nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për kryeprokuror të Shtetit është i papranueshëm. Kështu kanë vlerësuar tri organizata joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL.
Presidentja Vjosa Osmani, sipas ligjit e bën emërimin e kryeprokurorit me dekret, por mund edhe të mos e bëjë. IKD-ja, GLPS-ja dhe Lëvizja FOL i kanë bërë thirrje asaj që gjatë vlerësimit të saj për emërim, t’i ketë parasysh mangësitë e theksuara në këtë proces.
Këto tri organizata përmes një komunikate të përbashkët për media kanë reaguar pasi anëtarët e KPK-së e kanë votuar unanimisht Blerim Isufajn për kryeprokuror.
“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit”, është thënë në komunikatë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, më 24 mars 2022 kanë publikuar një raport në të cilin ishte rekomanduar anulimi i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe shpallja e konkursit të ri.
Koalicioni i OJQ-ve kishin tërhequr vërejtjen se paneli vlerësues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar, duke cenuar kështu meritokracinë e procesit.
“Ta zëmë, z. Isufaj, i cili u propozua për kryeprokuror të ri, ishte vlerësuar me 98 nga gjithsej 100 pikë, megjithëse koncept-dokumenti i tij dhe intervista pranë komisionit kishin mangësi të mëdha në aspektin profesional, që vëreheshin lehtësisht”, është thënë në komunikatë.
Këto OJQ kanë vlerësuar se kundërkandidatët e Isufajt ishin trajtuar në mënyrë të pabarabartë.
“KPK-ja ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së kryeprokurorit të Shtetit. Si rrjedhojë, Koalicioni rekomandonte që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, ashtu që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara”, është thënë në komunikatë.
Sipas tri organizatave joqeveritare, “është për t’u habitur se si të paktën një anëtar i KPK-së nuk është bindur nga analiza e dhënë përmes monitorimit objektiv të procesit”.
Lëvizja Vetëvendosje po kërkon po ashtu që procesi të kthehet në pikën zero.