
Triumf historik në Goteborg: Kosova mposht Suedinë 0-1, ëndrra për Botëror vazhdon
Kosova ka marrë një fitore të madhe në Goteborg ndaj Suedisë, teksa kanë mposhtur Suedinë me rezultat minimal 0-1.
Suedia e nisi më mirë ndeshjen, duke rrezikuar në disa raste portën e Kosovës me disa rivënie këndore
Megjithatë portieri ynë Arijanet Muric ishte në vend si gjithmonë duke bërë pritje fantastike.
Ishte minuta e 32-të e ndeshjes kur Kosova kaloi në epërsi pas një aksioni shumë të mirë. Vedat Muriqi pasoi te Veldin Hoxha, derisa ky i fundit te Fisnik Asllani që realizoi nga afërsia për 0-1.
Dardanët kishin edhe një tjetër rast të artë për ta dyfishuar epërsinë, por portieri vendas e ndali një goditje të fuqishme të Vedat Muriqit, e nga topi i kthyer nuk përfitoi Leon Avdullahu, që goditi shtyllën.
Me epërsinë 0-1 të Kosovës u mbyllën 45 minutat e para të kësaj ndeshje.
Trajneri i Suedisë, John Dahl Tomason me të filluar pjesa e dytë bëri tre zëvendësime duke futur në lojë emra si Anthony Elanga, Rohny Bardghji dhe Saletros duke shtuar forcat në repartin ofensivë.
Megjithatë përkundër se vendasit krijuan raste më të mira në pjesën e dytë, mbrojtja dardane dhe portieri Aro Muric ishte në formë fantastike.
Vendasit kishin një rast të artë në minutën e 92-të, kur Isak gjuajti bukur, por Aro Muric bëri një tjetër pritje spektakolare për ta mbajtur portën e paprekur.
Deri në fund më gola nuk pati dhe Kosova arkëtoi tre pikë të arta nga kjo përballje.Pas katër ndeshjeve në Grupin B, Kosova ka shtatë pikë në vendin e dytë. Zvicra është e para me 10 pikë, Sllovenia e treta me tre pikë dhe Suedia e fundit që tanimë mbetet pa gjasa me vetëm një pikë.
Ndeshjen e ardhshme Kosova e zhvillon në nëntor si mysafir i Sllovenisë, derisa Suedia luan ndaj Zvicrës në udhëtim. Telegrafi