
Triumfoi në vitin 2020 me Bayernin, Pavard i tregon Interit si fitohet Liga e Kampionëve
Mbrojtësi francez i Interit, Benjamin Pavard, kampion i Evropës në vitin 2020 me Bayern Munich, po ëndërron një mbyllje me nder të sezonit, tre ditë para finales së Ligës së Kampionëve mes zikaltërve dhe PSG-së.
“Shpresoj të përjetoj sërish të njëjtin fund si në vitin 2020. E rëndësishme është të mos e nënvlerësojmë PSG. Ata janë një skuadër e madhe dhe e kanë dëshmuar këtë prej vitesh”, ka thënë Pavard për “l’Equipe”. “A është ndeshja perfekte për mua? Sigurisht që është perfekte nëse fitojmë. Kam luajtur katër vjet në Munih, kam fituar shumë tituj atje dhe tani do të përballem me një ekip francez. Gjithsesi, të shtunën nuk do të jem francez”, ka shtuar Pavard.
Mbrojtësi zikaltër është i bindur se Interi mund të “bëjë diçka të jashtëzakonshme” në këtë finale. “Jam krenar për atë që kemi bërë së bashku. Jam gjithashtu krenar për karrierën time dhe atë që kam ndërtuar. Jam i lumtur që jam pjesë e këtij grupi”, ka deklaruar Pavard.