Tromp: Ka vetëqeverisje në nenin 7, autonomia mund të çojë drejt aneksimit të veriut nga Serbia

09 prill 2023 | 13:13

“Vetëmenaxhimit” i cili përbën nenin 7 të marrëveshjes bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kujdeset që çdo herë t’ia vë theksin te dallimi ndërmjet saj dhe “vetëqeverisjes” ose “vetëadministrim” ndonëse pak kush e ka të qartë se në çka konsiston ajo diferencë. “Vetëmenaxhimi nuk është qeverisje”, shprehet ai i bindur. Por, jo të gjithë kanë këtë bindje.

Për ligjëruesen dhe studiuesen në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp, kjo s’ka kuptim. Në një bisedë me “Nacionalen” ajo ka thënë se “vetëmenaxhimi nuk është term politik dhe merr parasysh rolin e individëve ose grupeve të individëve për të menaxhuar vendimet e dikujt tjetër; ndërsa në vetëqeverisje, ata kanë edhe vendimmarrjen dhe lokale edhe zbatimin (e menaxhimit) si pjesë e procesit qeverisës”.

“Vetëqeverisja i referohet mundësisë së një grupi individësh për të qeverisur veten, zakonisht në mënyrë demokratike, pa kontroll ose ndikim nga jashtë ose në mënyrë të decentralizuar. Përfshin marrjen kolektive të vendimeve rreth politikave, procedurave dhe veprimeve që afektojnë po atë grup duke marrë edhe përgjegjësi për ato vendime. Vetëqeverisja shpesh asociohet me organizata ose komunitete që operojnë në baza kooperative ose komunale, siç janë kooperativat, komunitet me qëllime të njëjta ose ndërmarrjet në pronësi të punëtorëve”, ka thënë ajo.

Por, ndonëse Trompi ka thënë  se nuk duhet lënë që negociatat të thyhen në përplasje termesh, ajo s’ka dyshim se kjo përkthehet në autonomi politike për komunitetin serb të Kosovës. Ideja e saj, si shembull, është që kjo të jetë sikur “komuniteti gjermanishtfolës në Tirolin Jugor”. Dhe këtë ajo e sheh “edhe si shembull që kjo në asnjë mënyrë nuk është problem i ri në proceset shtetndërtuese evropiane”.

“Veçanërisht kur entitete më të gjera politike janë të fragmentuara brenda më të voglave dhe kufijtë etnikë bëhet të pamundur të shkruhen. Ka shumë këso shembujsh në Evropë që nga çdo luftë e madhe, veçanërisht pas Konferencës së Versajës dhe Jaltës që formësuan hartat e shteteve evropiane 1918/19 dhe 1945”, vëren ajo.

Duke folur për nenin 7 dhe për pikën e dytë të saj, përkatësisht formalizimin e Statusit (disa thonë edhe Special) të Kishës Ortodokse Serbe, dhe se a mund të nxjerrën paralele mes saj dhe marrëveshjes themeltare mes Kishës Ortodokse Serbe dhe Malit të Zi (marrëveshje kjo e cila çoi në rrëzimin e Dritan Abazoviqit nga kreu i shtetit), Trompi ka thënë se “Po”.

“Po. Ta shpërblesh me disa të drejta ekskluzive në kuptimin territorial dhe pronësor mund të sjellë abuzim sikur në Mal të Zi, eventualiteti i të cilës shkëndijoi protesta masive nga rrymat pro-serbe në Mal të Zi kundër qeverisë së asokohshme dhe presidentit të Malit të Zi”, ka thënë Nevenka Tromp.

Për një gjë që Trompi s’ka asnjë dyshim është se Kisha Ortodokse Serbe “është konstantja” e projektit shtetëror serb. “Kisha Ortodokse Serbe është aq e politizuar dhe pjesë konstante e projektit shtetëror të Serbisë që pretendon territoret e populluara me serbë në shtetet fqinje të Serbisë”, ka thënë thotë ajo.

Duke u kthyer sërish në çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe opinionit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2015 e cila vërente me shqetësim termin “exercises full overview (ushtron vështrim/vëzhgim/mbikëqyrje të plotë) në një numër çështjesh dhe nëse ky term mund të jetë komplementar ose i përthyeshëm në “vetëmenaxhim për komunitetin serb” në Kosovë, Trompi sërish kthehet kah çështja e autonomisë.

“Sido që përcaktohet fjalia, situata në terren është mosbesimi mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, dhe s’ka fjalë që e ‘zëvendëson’ këtë realitet të ashpër”.

“Askush nuk duhet të ketë iluzione rreth asaj se kur të përcaktohen për ‘fjalë-vënien’ e vetëmenaxhimit ose vetëqeverisjes. Serbët e Kosovës do të marrin një nivel autonomie në katër komunat veriore dhe kjo duhet të pranohet nga Prishtina”, ka thënë ajo.

Por, Tromp ka një parashikim të errët se “po, është e vërtetë, që kjo autonomi mund të çojë drejt asaj që këto zona të aneksohen nga Serbia, por edhe ama që të mbeten pjesë e Kosovës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çifti Getinjo dhe Vivien Thano kanë qenë në qendër të…