
Tromp: Specialja tregoi mungesë respekti për Kosovën, mund të ketë nervozizëm të gjyqtarëve se si do të priten krerët e UÇK-së
Hulumtuesja e Tribunalit për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi dhe ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp, ka thënë se Gjykata Speciale nuk ka treguar respekt për institucionet e Kosovës.
Këtë konstatim, Tromp e ka dhënë duke komentuar refuzimin për lirim të përkohshëm ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Në një përgjigje për “Nacionalen”, Tromp ka deklaruar se ka qenë Kosova që e ka krijuar këtë Gjykatë, dhe nuk duhet të ketë asnjë dyshim, siç po bëjnë gjyqtarët e Speciales.
Ajo ka thënë se që nga fillimi i gjykimit, lirimi i përkohshëm ka qenë temë që lidhet direkt me të drejtat e të akuzuarve në procedurë.
“Duhet të jetë kështu – Selimi, Krasniqi dhe Veseli janë ende të akuzuar, dhe janë të pafajshëm derisa të provohet fajësia në vendim. Shpërfillja e garancive të policisë së Kosovës mund të interpretohet si mungesë respekti për institucionet shtetërore të Kosovës. Parlamenti i Kosovës, qeveria e saj dhe Gjykata Kushtetuese e bënë të mundur KSHC-në dhe nuk ka nevojë për asnjë dyshim. Mënyra se si është trajtuar çështja e lirimit të përkohshëm që nga fillimi i gjykimit deri më tani lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë e gjyqit dhe të drejtat e të akuzuarit”, ka thënë Nevenka Tromp.
Tromp e cila ka përvojë në Tribunalin e Hagës, ka thënë se më nuk është arsye frikësimi i dëshmitarëve, pasi dëshmitarët dhe provat e Prokurorisë kanë përfunduar.
“Duke pasur parasysh faktin se prokuroria e përfundoi pjesën e saj të çështjes dhe të gjithë dëshmitarët e Prokurorisë janë dëgjuar, argumenti i Prokurorisë për frikësimin e dëshmitarëve të Prokurorisë nuk është më i vlefshëm. Dëshmitarët që do të vijnë për pjesën e Mbrojtjes së çështjes do të jenë dëshmitarët e Mbrojtjes që do të dalin me vullnetin e tyre të lirë për të dhënë dëshmi në favor të të akuzuarve”, ka thënë Tromp.
Ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, ka thënë se ndoshta gjyqtarët kanë frikë për mënyrën se si do të priteshin ish-krerët e UÇK-së.
“Sa i përket faktit që Policia e Kosovës dha garancinë e saj, e cila u shpërfill nga gjyqtarët e gjykatës, kjo tregon nervozizmin e gjyqtarëve se si mund të ishin pritur edhe këta në Kosovë. Ata ndoshta kanë frikë edhe nga çdo ndërlikim që ky vendim mund të shkaktojë jashtë gjykatës – në Serbi dhe në Kosovë. Por asnjë nga këto konsiderata nuk i vendos të drejtat e të akuzuarve në plan të parë”, ka thënë Tromp.