Trump bën thirrje për arritje të marrëveshjes për përfundim të luftës në Gazë

29 qershor 2025 | 12:36

Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë thirrje të dielën për përparim në bisedimet për armëpushim në konfliktin në Gazë, duke bërë thirrje që palët të pajtohen për t’i dhënë fund luftës 20-mujore.

Një zyrtar izraelit ka thënë se janë duke u bërë plane që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu të udhëtojë në Uashington në javët që vjen, sinjal që mund të ketë lëvizje për një marrëveshje të re.

Duke folur në kushte anonime, ky zyrtar nuk ka pranuar të diskutojë fokusin e vizitës.

“PAJTOHUNI PËR MARRËVESHJE PËR GAZËN. KTHEJINI PENGJET!!!”, ka shkruar Trump në rrjetin social, Truth Social të dielën.

Trump i ka shtuar pritjet për një marrëveshje prej të premtes, kur ka thënë se marrëveshja për armëpushim mund të arrihet javën tjetër, raporton REL.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai ka thënë se “jemi duke punuar për Gazën dhe po përpiqemi të kujdesemi për të”.

Ai ka bërë thirrje të vazhdueshme që Izraeli dhe Hamasi – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – t’i japin fund luftës në Gazë.

Pavarësisht një armëpushimi tetëjavor të arritur teksa Trump niste mandatin presidencial, tentimet për t’i pajtuar palët për një marrëveshje të re, kanë dështuar.

Këshilltari i lartë i Netanyahut, ministri izraelit për Çështje Strategjike, Ron Dermer, pritet të udhëtojë në Uashington brenda ditësh për të negociuar armëpushimin.

Rreth 50 pengje vazhdojnë të jenë në Gazë, dhe më pak se gjysma e tyre besohet se janë gjallë. Ata janë pjesë e rreth 250 pengjeve që janë marrë nga Hamasi – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – në sulmin kundër Izraelit, më 7 tetor 2023, duke nxitur kështu luftën që vazhdon tash e 21 muaj.

Si pasojë e luftës janë vrarë mbi 56.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. Prej tyre, shumica besohet se janë gra dhe fëmijë.

Shpresat për marrëveshje janë rritur me përfshirjen e Trumpit në këtë çështje.

Hamasi ka thënë se është i gatshëm t’i lirojë pengjet në këmbim të përfundimit të luftës në Gazë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se do t’i japë fund luftës vetëm pasi të çarmatoset Hamasi, diçka që grupi e ka hedhur poshtë.

Ndërkohë, palestinezët e uritur janë duke jetuar në situatë të përshkruar si katastrofike.

Pas bllokimit të të gjitha ndihmave për dy muaj e gjysmë, Izraeli e ka lejuar një pjesë të vogël të ndihmave në territorin e Gazës në mesin e muajit maj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, ka thënë se është e…