Trump distancohet nga sulmi i Izraelit në Katar: Veprim i papërshtatshëm ndaj një aleati të ngushtë të SHBA

09 shtator 2025 | 22:52

Shtëpia e Bardhë ka reaguar pas sulmit ajror izraelit në Doha, kryeqytetin e Katarit, duke theksuar se presidenti Donald Trump e konsideron këtë një veprim të njëanshëm dhe të papërshtatshëm nga ana e Izraelit ndaj një aleati të ngushtë të Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se administrata Trump ishte njoftuar për sulmin në orët e para të mëngjesit të sotëm.

“Hamasi, për fat të keq, ndodhej në një zonë të Dohas”, tha Leavitt. “Bombardimi i njëanshëm brenda Katarit, një shtet sovran dhe aleat i ngushtë i SHBA-së, i cili po punon me guxim dhe merr rreziqe për të ndihmuar në arritjen e paqes, nuk i shërben qëllimeve as të Izraelit, as të Amerikës.”

Sipas Leavitt, i dërguari i posaçëm i presidentit, Jeff Witkoff, kishte paralajmëruar autoritetet katariote për sulmin e mundshëm.

Ajo shtoi se presidenti Trump e sheh Katarin si një mik dhe aleat të fortë të SHBA-së dhe “është thellësisht i tronditur nga vendndodhja e sulmit”.

Megjithatë, Leavitt theksoi se shkatërrimi i Hamasit “mbetet një objektiv i vlefshëm”, duke e përshkruar këtë organizatë si përfituese nga vuajtjet e popullit të Gazës.

Presidenti Trump, sipas saj, i ka dhënë garanci udhëheqjes së Katarit se një sulm i tillë nuk do të ndodhë më. Ai beson se “ky incident fatkeq mund të shërbejë si një mundësi për paqe”.

E pyetur nëse presidenti është i zemëruar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu pas veprimit të njëanshëm të Izraelit në Katar, Leavitt tha se qëndrimi i presidentit është bërë i qartë.

Lidhur me mundësinë e ndonjë pasoje për kryeministrin izraelit, Leavitt u përgjigj se një vendim i tillë mbetet vetëm në dorën e presidentit Trump.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anglia ka shkërmoqur Serbinë në mes të Beogradit. “Tre Luanët”…