Trump feston shfajësimin nga Senati

06 shkurt 2020 | 19:52

Presidenti amerikan, Donald Trump, që përballet me fushatë për rizgjedhje dhe ndoshta edhe me hetime tjera në të ardhmen, ka festuar shfajësimin nga akuzat për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Pasi ka hyrë në sallë ku është pritur me duartrokitje të mëdha nga ligjvënësit republikanë, zyrtarë të administratës dhe figura të mediave konservatore në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka thënë se demokratët kanë nxitur përpjekje “të korruptuara” për të dëmtuar presidencën e tij.

“Unë kam bërë gjëra të këqija në jetën time, e pranoj… mirëpo ky është rezultati përfundimtar”, ka thënë Trump, teksa ka mbajtur një kopje të gazetës Washington Post me titull kryesor “Trump u shfajësua”.

Senati i kontrolluar nga republikanët, ka votuar të mërkurën për ta shfajësuar Trumpin, në procesin e nisur nga demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kjo ka qenë vetëm hera e tretë në histori që një president amerikan është përballur me një proces të tillë.

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka thënë se deklaratat e Trumpit kanë qenë “plotësisht të papërshtatshme, sidomos gjatë Lutjeve të Mëngjesit”.

Përgjatë kësaj ceremonie, Trump ka akuzuar “disa njerëz shumë të pasinqertë dhe të korruptuar”, që kanë kërkuar ta largojnë atë përmes procesit që e ka konsideruar “mashtrim”.

Në gjyqin kundër tij, 52 ligjvënës kanë votuar për ta liruar atë nga akuza për abuzim të pushtetit, derisa 48 kanë thënë se ai është fajtor.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Strategjia e re e zgjerimit, që do të prek edhe…