
Trump: Hamasi do të përballet me “zhdukje të plotë” nëse nuk dorëzohet
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar një qasje të ashpër ndaj Hamasit nëse ky grup militant nuk pranon të heqë dorë nga pushteti dhe kontrolli në Rripin e Gazës.
Në një deklaratë për CNN, Trump tha se “Zhdukje e plotë!”, do të ishte fati i Hamasit në rast se refuzon të largohet nga pushteti. Kështu u përgjigj ai kur gazetari i CNN, Jake Tapper, e pyeti me anë të një mesazhi të shtunën se çfarë do të ndodhte nëse Hamasi këmbëngul në qëndrimin e tij.
Tapper e shtyu më tej diskutimin duke përmendur interpretimin e senatorit Lindsey Graham, i cili tha se Hamasi e kishte refuzuar propozimin prej 20 pikash të armëpushimit, duke insistuar në “mosçarmatim, mbajtjen e kontrollit palestinez mbi Gazën dhe lidhjen e lirimit të pengjeve me negociatat”.
Trump u përgjigj se është ende në pritje të një qëndrimi të qartë nga Hamasi: “Pres sqarim ‘së shpejti’ nëse Hamasi është vërtet i përkushtuar ndaj paqes,” tha ai.
I pyetur për qëndrimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ndaj përfundimit të bombardimeve në Gaza, Trump u përgjigj shkurt: “Po, Bibi”, duke konfirmuar mbështetjen e Izraelit për vizionin e tij të paqes.
Presidenti Trump theksoi gjithashtu se është duke punuar intensivisht për të bërë realitet planin e tij për armëpushim dhe shprehu shpresën që ai të realizohet së shpejti.