Trump: Jemi shumë afër marrëveshjes së paqes në Ukrainë
Presidenti amerikan, Donald Trump tha se beson që bisedimet për një marrëveshje paqeje në Ukrainë janë afër.
“Nuk është e lehtë, por besoj se do ta arrijmë”, tha presidenti amerikan teksa fliste në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë.
“Mendoj se po i afrohemi shumë një marrëveshjeje, do ta shohim… Mendoj se po bëjmë përparim”, tha ai gjatë ceremonisë së faljes së gjelit të detit për Ditën e Falënderimeve.
Më herët sot, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Kievi është gati të ecë përpara me një marrëveshje paqeje të mbështetur nga SHBA-të dhe se është gati të diskutojë pikat e saj të ndjeshme me presidentin amerikan në bisedime që ai tha se duhet të përfshijnë aleatët europianë.
Në një fjalim para të ashtuquajturit “Koalicion i të Gatshmëve”, një kopje e të cilit u pa nga Reuters, Zelensky u bëri thirrje udhëheqësve evropianë të bien dakord për një kornizë për vendosjen e një “force sigurie” në Ukrainë dhe të vazhdojnë të mbështesin Kievin për sa kohë që Moska nuk tregon gatishmëri për t’i dhënë fund luftës së saj.
Në të njëjtën kohë, Emmanuel Macron, duke hapur telekonferencën e sotme të “Koalicionit të të Gatshmëve” që mbështet Kievin, në të cilën po merr pjesë edhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio, tha, sipas mediave franceze, se “më në fund ekziston një mundësi për të bërë përparim të vërtetë drejt një paqeje të qëndrueshme” midis Ukrainës dhe Rusisë. Sipas presidentit francez, “një kusht absolut për një paqe të qëndrueshme” është t’i ofrohet Ukrainës “garanci shumë të forta sigurie dhe jo garanci vetëm në letër”.
“Ukraina ka marrë shumë premtime deri më sot, të cilat janë thyer për shkak të sulmeve të njëpasnjëshme ruse, dhe për këtë arsye garancitë e forta janë të nevojshme”, tha presidenti francez.
“Negociatat kanë fituar një vrull të ri dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë”, tha gjithashtu Emmanuel Macron, duke vënë në dukje se takimet në Gjenevë më 23 nëntor lejuan një dialog të hapur dhe konstruktiv midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.



