
Trump kërcënon televizionet: Punojnë kundër meje, duhet t’u hiqet licenca
Presidenti amerikan Donald Trump ka shpërthyer kundër rrjeteve televizive që raportojnë negativisht për të, duke sugjeruar se disa prej tyre mund të humbasin licencat e transmetimit.
Këto komente erdhën pasi rrjeti ABC pezulloi komedianin Jimmy Kimmel për deklaratat lidhur me vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk.
Duke folur nga Air Force One, pas një vizite shtetërore në Britani, Trump tha: “Kam lexuar se 97% e raportimeve për mua janë negative, megjithatë fitova të gjitha shtetet kyçe në zgjedhjet e fundit. Këto rrjete kanë licenca, ndoshta duhet t’u hiqen.” Ai akuzoi mediat për shpifje dhe përhapje të urrejtjes kundër tij.
Pezullimi i Kimmel erdhi pas një monologu ku ai sugjeroi se vrasësi i Charlie Kirk mund të ishte një mbështetës i Trump. Autoritetet në Utah thanë se i dyshuari ishte i indoktrinuar me ideologji të majtë, çka shkaktoi një reagim të fortë në kampin konservator.
Komisioni Federal i Komunikimeve, i udhëhequr nga Brendan Carr reagoi menjëherë, duke e akuzuar Kimmel për “sjellje të sëmurë” dhe paralajmëroi rrjetin ABC për pasoja. Carr u shpreh se televizionet duhet të “marrin masa konkrete” ose të përgatiten për ndërhyrje rregullatore nga FCC.
Ai gjithashtu përgëzoi rrjetin Nexstar që ndaloi transmetimin e emisionit të Kimmel dhe bëri thirrje që edhe rrjete të tjera të ndjekin shembullin.