
Trump lëviz drejt Ballkanit: Zyrtari amerikan nis misionin diplomatik në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka rikthyer vëmendjen e saj diplomatik në Ballkan, duke dërguar një zyrtar të lartë për një vizitë zyrtare në tri shtete kyçe të rajonit – Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë.
Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit amerikan, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social X nisjen e tij drejt Ballkanit pas bisedimeve të zhvilluara në Dayton dhe Washington.
“Është një përvjetor i rëndësishëm dhe një kohë vendimtare për Ballkanin Perëndimor. Me padurim pres të forcojmë lidhjet mes SHBA-së dhe vendeve të rajonit,” ka shkruar Hanrahan, duke iu referuar kështu përvjetorit të Marrëveshjes së Daytonit, marrëveshjes që më 1995 i dha fund luftës në Bosnjë.
Kjo vizitë vjen në një moment kur SHBA-ja synon të rigjallërojë bashkëpunimin dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit, në një kohë kur sfidat politike dhe ekonomike vazhdojnë të jenë të pranishme.