Trump lidh Serbinë me përpjekjet për të vjedhur zgjedhjet presidenciale në SHBA
Presidenti amerikan, Donald Trump të martën ndau në rrjetin personal social “Truth Social” një postim nga platforma X, në të cilin thuhet se Elon Musk pengoi manipulimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024, duke bllokuar kompjuterët e kompanisë “Dominion Voting Systems” në Serbi.
Ai humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 për mandatin e dytë nga kandidati demokrat Joe Biden. Ai pretendonte se demokratët kishin vjedhur zgjedhjet, dhe këto pretendime kulmuan me sulmin e mbështetësve të tij në Kongresin amerikan më 6 janar të vitit 2021, shkruan N1.
Tani ai ka shpërndarë mesazhin e një besniku të tij me llogari të verifikuar, Johnny St. Pete, i cili në X publikoi informacione nga komentatori dhe kolumnisti konservator amerikan, Benny Johnson, që sipas tij, pronari i X-it, Elon Musk, shpëtoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 duke monitoruar IP adresat në vendet e huaja përmes të cilave numëroheshin votat dhe duke bllokuar kompjuterët e tyre.
“Musk e dinte se do të fitonte zgjedhjet dhe duket se kjo ndodhi sepse identifikuan sistemet dhe makineritë në vendet e huaja që do të bënin atë që pamë në 2020“, shkroi St. Pete në postimin që ndau edhe Trumpi, transmeton Telegrafi.
Ai shton se Musku ka ndjekur IP adresat e kompanisë “Dominion Voting Systems” në Serbi dhe i ka bllokuar kompjuterët disa ditë para zgjedhjeve të vitit 2024. Në postimin e tij, me të cilin duket se pajtohet edhe Trump, St. Pete i referohet Emerald Robinson, ish-korrespondente nga Shtëpia e Bardhë që ka punuar për disa media, përfshirë Newsmax, dhe tani është një nga teoricienet më të njohura të konspiracionit në SHBA.
Makineritë e votimit dhe lidhja me Serbinë
Konspiracionisti i dytë amerikan, Patrick M. Byrne, gjithashtu ka paraqitur teori mbi vjedhjen e votave përmes makinerive të numërimit të votave. Në një nga paditë që kompania “Dominion” i kishte ngritur atij në vitin 2021, thuhet se Byrne atë vit kishte postuar në blogun e tij se kishte ndodhur një sulm nga jashtë ndaj sistemit të votimit në shtetet Pensilvani, Michigan, Wisconsin, Arizona, Nevada dhe Georgia, me qëllim ndikimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Duke iu referuar deklaratave të një zyrtari të lartë të sigurisë ushtarake, Byrne pretendonte se “Dominion Voting System” kontrollohet dhe zotërohet nga individë dhe kompani jashtë Amerikës dhe se kontrolli mbi të dhënat e këtyre makinerive humbet sapo ato largohen nga SHBA-ja.
Ai shtoi se informacionet elektronike nga makineritë e votimit dhe të numërimit të votave nga SHBA-të në zgjedhjet e vitit 2020 ishin dërguar në Gjermani, Barcelonë, Serbi dhe Kanada, ku ishte manipuluar me to dhe të dhënat e ndryshuara ktheheshin përsëri në SHBA.
Teoria më tej pretendonte se kompania “Dominion” korruptonte zyrtarët amerikanë përgjegjës për zgjedhjet dhe se makineritë prishnin dhe shkatërronin fletët e votimit për të fshehur mashtrimet e kryera elektronikisht jashtë vendit.
Kompania në padinë e saj ka deklaruar se të gjitha këto akuza janë të rreme dhe se Byrne kishte angazhuar njerëz për të krijuar “dëshmi” të rreme, të cilat i publikonte në blogun personal për të mbështetur pretendimet e tij.



