
Trump: Marrëveshja tregtare me Indinë mund të arrihet së shpejti
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë një marrëveshje tregtare me Indinë, që do t’i ndihmonte kompanitë amerikane të konkurrojnë më mirë në tregun e Azisë Jugore.
Ai theksoi se marrëveshja do të çojë në tarifa shumë më të ulëta për produktet amerikane. Trump shprehu dyshime mbi një marrëveshje të mundshme me Japoninë, duke e bërë Indinë partnerin kryesor në këtë drejtim. Ai tha se India është e gatshme të ulë barrierat për kompanitë amerikane, duke hapur rrugën për një marrëveshje tregtare. Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një tarifë prej 26% mbi disa produkte indiane, por Trump e ka pezulluar këtë tarifë deri më 9 korrik.
“Mendoj se India do ta bëjë këtë dhe nëse e bën, do të kemi tarifa shumë më të ulëta,” tha presidenti. Ai deklaratën e bëri para gazetarëve në bord të “Air Force One”. Sipas tij, marrëveshja do të jetë e dobishme për ekonominë amerikane dhe kompanitë që operojnë në tregun indian.