
Trump mohon që Irani të ketë zhvendosur uraniumin para sulmit: Kamionët ishin të punëtorëve të betonit
Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur qëndrimin e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, se asgjë nuk është lëvizur nga objekti bërthamor në Iran që u godit nga ShBA gjatë fundjavës.
Përmes një postimi në Truth Social, Trump tha se: “Makinat dhe kamionët e vegjël në vend ishin të punëtorëve të betonit që po përpiqeshin të mbulonin pjesën e sipërme të boshtit. Asgjë nuk është marrë nga objekti. Do të kërkonte shumë kohë, do të ishte shumë e rrezikshme, shumë e rëndë dhe e vështirë për t’u lëvizur!”.
Kujtojmë se më herët në një konferencë shtypi, Hegseth tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë informacioni inteligjent, “që të tregojë se materialet nuk ishin aty ku duhet të ishin, apo se janë zhvendosur”.
Këto deklarata vijnë mes spekulimeve të vazhdueshme rreth asaj nëse Irani ka arritur të shpëtojë materiale bërthamore nga objektivi nëntokësor në Fordo, përpara se ShBA të realizonte operacionin “Midnight Hammer”.