Trump: Nesër nënshkruajnë marrëveshjen më Iranin, menjëherë do të hapet Ngushtica e Hormuzit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se marrëveshja me Iranin pritet të nënshkruhet nesër dhe menjëherë pas kësaj, Ngushtica e Hormuzit do të hapet për të gjitha vendet.
Në rrjetin e tij social “Truth”, Trump ka deklaruar se marrëveshja e re me Iranin është krejtësisht e ndryshme nga marrëveshja bërthamore e arritur gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama, duke e cilësuar atë si një garanci kundër pajisjes së Teheranit me armë bërthamore.
Presidenti amerikan kritikoi marrëveshjen e njohur si JCPOA, duke thënë se ajo ishte “një rrugë e lehtë, e bukur dhe e qetë drejt armës bërthamore”, ndërsa shtoi se marrëveshja e tij me Iranin është “pikërisht e kundërta, një mur kundër armës bërthamore”.
“Faktikisht, ata nuk duan më armë bërthamore dhe nuk do të kenë një të tillë, qoftë përmes blerjes, zhvillimit apo ndonjë forme tjetër sigurimi të saj”, deklaroi Trump.
Trump tha gjithashtu se raportet e administratës së tij me Iranin janë “shumë më të ndryshme dhe më të mira” krahasuar me administratat e mëparshme, duke theksuar se në kuadër të marrëveshjes së re nuk do të ketë transferim fondesh.
“Nuk do të ketë shkëmbim parash. Ndryshe nga qindra miliardë dollarët që administrata Obama i pagoi Iranit, përfshirë 1.7 miliard dollarë para në dorë”, u shpreh ai.
Presidenti amerikan shtoi se, në një fazë të mëvonshme dhe pasi situata të jetë qetësuar, SHBA-ja do të ndërmarrë hapa për të marrë materialin bërthamor të varrosur thellë në objektet iraniane dhe për ta shkatërruar atë.
“Presim të punojmë me Iranin dhe me gjithë Lindjen e Mesme për një kohë të gjatë në të ardhmen. Shpresojmë që ky proces të zhvillohet shpejt, lehtë dhe pa probleme. Nëse kjo nuk ndodh, ne kemi alternativën përfundimtare, e cila shpresojmë të mos përdoret më kurrë”, tha Trump.



