Trump paralajmëroi se do të publikojë dosjet mbi UFO-t, sekretari i Mbrojtjes tregon çfarë pritet të zbulohet
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka dhënë një përditësim mbi planet e administratës së Donald Trump për publikimin e dosjeve qeveritare që lidhen me jetën jashtëtokësore dhe objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO).
Javën e kaluar, Trump deklaroi se do t’i jepte udhëzime Hegseth-it për të nisur identifikimin dhe deklasifikimin e dokumenteve që kanë të bëjnë me UFO-t dhe mundësinë e ekzistencës së jetës aliene.
Sipas një studimi të vitit 2021 nga Pew Research Center, 65% e amerikanëve besojnë se jeta inteligjente mund të ekzistojë në planetë të tjerë.
Të hënën, Hegseth ndodhej në Kolorado në kuadër të turit “Arsenali i Lirisë” të Departamentit të Mbrojtjes, ku vizitoi dy kompani private të sektorit hapësinor. Në një intervistë të publikuar nga C-SPAN, ai u pyet nëse e kishte imagjinuar ndonjëherë se do të ishte në krye të procesit për zbulimin e informacionit mbi jetën jashtëtokësore për publikun amerikan.
“Nuk e kisha fare në mendje”, u përgjigj ai.
I pyetur nëse është i gatshëm ta mbikëqyrë këtë proces, Hegseth tha se strukturat përkatëse janë tashmë duke punuar. “Sigurisht, kemi njerëzit tanë që po merren me këtë çështje. Nuk dua të spekuloj për kohën që do të duhet. Po punojmë dhe do të jemi plotësisht në përputhje me urdhrin ekzekutiv, të përkushtuar për t’ia paraqitur këtë presidentit. Do të ketë më shumë detaje lidhur me procesin dhe hapat që do të ndërmarrim”, u shpreh ai.
Sa i përket një afati konkret, Hegseth tha se ende nuk ka një datë përfundimtare. “Nuk kam ende një afat kohor për ju, por do ta kemi”, deklaroi ai.
I pyetur nëse personalisht beson në ekzistencën e alienëve, ai u përgjigj shkurt: “Do ta shohim”, duke shtuar se do ta shqyrtojë çështjen dhe do të arrijë në përfundime së bashku me publikun.
Interesi për jetën jashtëtokësore është rritur ndjeshëm vitet e fundit, veçanërisht pas deklaratave të ish-presidentit Barack Obama gjatë një interviste me komentatorin politik Brian Tyler Cohen.
Në një moment të bisedës, Obama u përgjigj me shaka “ata janë të vërtetë” kur u pyet për alienët, por menjëherë sqaroi se nuk kishte parë kurrë prova të tilla dhe hodhi poshtë pretendimet se krijesa jashtëtokësore po mbahen në Area 51.



