Trump paralajmëron Iranin: Mund t’ju godasim sërish nëse është e nevojshme

22 korrik 2025 | 21:07

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të godasin përsëri objektet bërthamore të Iranit, nëse situata e kërkon një gjë të tillë. Deklarata e fortë erdhi pasi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pranoi për Fox News se tre objekte bërthamore u dëmtuan rëndë nga sulmet ajrore amerikane në qershor.

“Sigurisht që janë dëmtuar, ashtu siç e kam thënë më parë. Dhe do ta bëjmë përsëri, nëse është e nevojshme!”, shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social, duke reaguar ndaj komenteve të Araghchit.

Sulmet amerikane të 22 qershorit goditën tri qendra të pasurimit bërthamor në Fordow, Natanz dhe Isfahan, gjatë konfliktit 12-ditor mes Izraelit dhe Iranit.

Trump pretendoi se këto goditje “shkatërruan plotësisht” kapacitetet bërthamore të Iranit, por një raport i mëvonshëm i inteligjencës amerikane sugjeroi se dëmi ishte i përkohshëm, duke e vonuar programin vetëm me disa muaj. Shtëpia e Bardhë mohoi vlerësimin, duke e cilësuar atë si “krejtësisht të pasaktë”.

Në të njëjtën kohë, Irani ka njoftuar rifillimin e bisedimeve me vendet evropiane për programin e tij bërthamor. Takimi do të zhvillohet të premten në Stamboll, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, konfirmoi se në fokus të bisedimeve do të jenë heqja e sanksioneve dhe çështjet që lidhen me programin bërthamor civil të Iranit.

Programi bërthamor i Iranit u kufizua ndjeshëm me marrëveshjen e vitit 2015 (JCPOA), por u trondit pas tërheqjes së SHBA-ve në vitin 2018. Teherani ka rritur gradualisht aktivitetet bërthamore, përfshirë pasurimin e uraniumit në nivele të afërta me ato për armë. Irani këmbëngul se programi i tij ka qëllime vetëm civile, ndërsa vendet perëndimore shprehin shqetësim për rrezikun e një përshkallëzimi të tensioneve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Copenhagen ka triumfuar me rezultat 2-0 ndaj Dritës në ndeshjen…