
Trump pret Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë për planin për paqe në Gazë
Presidenti amerikan, Donald Trump e ka pritur të hënën kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se ka pritje të mëdha për arritjen e një marrëveshjeje për luftën në Gazë.
Lufta është nxitur nga sulmet e militantëve të Hamasit – grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – në tokën izraelite, në tetor të vitit 2023. Izraeli, më pas, ka nisur fushatë ushtarake për ta shkatërruar Hamasin.
Trump e ka prezantuar një plan prej 21 pikash para të dyja palëve për t’i dhënë fund luftës, për lirim të pengjeve që mban Hamasi dhe për çarmatosje të militantëve palestinezë.
Trump ka thënë të dielën në rrjete sociale se “të gjithë pajtohen për diçka speciale për herë të parë”, dhe i ka përmendur bisedimet që i ka zhvilluar me liderë arabë në Kombet e Bashkuara një javë më parë.
Netanyahu, në anën tjetër, ka dhënë pak arsye për shpresë, pasi në fjalimin e mbajtur të premten në Kombet e Bashkuara, ai është zotuar për “të përfunduar punën” kundër Hamasit dhe e ka kundërshtuar shtetësinë palestineze – e cila është njohur së fundmi nga disa shtete perëndimore.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se do të ketë konferencë për media pas takimit, dhe sinjalet janë që Trump mund ta bëjë të ditur ndonjë marrëveshje.
“Ai dëshiron që kjo luftë të marrë fund, ai dëshiron që të gjitha pengjet të lirohen”, ka thënë Sekretarja për Media e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt para gazetarëve të hënën.
Ofensiva izraelite në Gazë ka lënë të vdekur mbi 66 mijë palestinezë, kryesisht civilë, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze, të cilat OKB-ja i konsideron kredibile. /REL