Trump: Rusia, si një tigër prej letre! Ukraina mund t’i fitojë sërish të gjitha territoret e saj

23 shtator 2025 | 22:03

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se Ukraina ka mundësi reale për të fituar luftën kundër Rusisë, duke e krahasuar këtë të fundit një “tigër prej letre”. Në një deklaratë në rrjetin social “Truth”, Trump tha se njohja e plotë e situatës ushtarake dhe ekonomike midis dy vendeve e ka bindur se me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, Ukraina mund të rikthejë të gjithë territorin e saj në kufijtë origjinalë.

“Pas njohjes dhe kuptimit të plotë të situatës ushtarake dhe ekonomike mes Ukrainës dhe Rusisë, dhe pasi pashë vështirësitë ekonomike që po i shkaktohen Rusisë, mendoj se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, është në një pozitë për të luftuar dhe për të fituar rikthimin e gjithë Ukrainës në formën e saj origjinale. Me kohë, durim dhe mbështetje financiare nga Evropa dhe, në veçanti, nga NATO, kufijtë origjinalë prej nga nisi kjo luftë janë shumë të mundshëm. Pse jo? Rusia ka luftuar pa qëllim për tre vjet e gjysmë një luftë që një fuqi e vërtetë ushtarake do ta kishte fituar për më pak se një javë. Kjo nuk e nderon Rusinë. Përkundrazi, e bën të duket si një tigër prej letre”, u shpreh Trump.

Ai shtoi se qytetarët rusë, sidomos në Moskë dhe qytetet e tjera të mëdha, po përballen me pasoja të rënda ekonomike dhe se kjo do të ndikojë në ecurinë e mëtejshme të luftës. Sipas Trump, mungesat e karburantit, radhët e gjata dhe kolapsi ekonomik po e dëmtojnë rëndë Rusinë, ndërkohë që Ukraina, sipas tij, po forcohet dita-ditës.

“Kur njerëzit që jetojnë në Moskë, dhe në të gjitha qytetet, qytetet e mëdha dhe distriktet në gjithë Rusinë, të kuptojnë se çfarë po ndodh realisht me këtë luftë, faktin që është pothuajse e pamundur për ta të marrin karburant përmes radhëve të gjata që po krijohen, dhe gjithçka tjetër që po ndodh në ekonominë e tyre të luftës, ku shumica e parave po shpenzohen për të luftuar kundër Ukrainës një vend me shpirt të madh, që po bëhet çdo ditë më i fortë atëherë Ukraina do të jetë në gjendje ta marrë sërish vendin e saj në formën origjinale dhe, kush e di, ndoshta edhe të shkojë më tej se kaq”, theksoi presidenti amerikan.

Trump përfundoi deklaratën duke nënvizuar vështirësitë e mëdha ekonomike që, sipas tij, po përjeton Rusia dhe tha se ky është momenti që Ukraina duhet të veprojë. “Putini dhe Rusia janë në vështirësi të mëdha ekonomike, dhe ky është momenti që Ukraina të veprojë. Në çdo rast, uroj të dy vendet të mirën. Ne do të vazhdojmë të furnizojmë armë për NATO-n, në mënyrë që NATO të bëjë çfarë të dojë me to. Fat të mbarë të gjithëve!”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një anije mallrash kineze ka vizituar portin e pushtuar nga…