Trump sërish një paqebërës, Kamboxhia, Tajlanda dhe Malajzia firmosim marrëveshjen e paqes
Kamboxhia, Tajlanda dhe Malajzia kanë nënshkruar një marrëveshje paqeje, në prani dhe me ndërmjetësimin e preisdentit amerikan Donald Trump. Ngjarja që krijon një mjedis të ri paqeje dhe sigurie në Azinë Juglindore, sapo ka ndodhur.
Trump përshëndeti udhëheqësit e Tajlandës dhe Kamboxhias, ndërsa përshkroi përpjekjet për të siguruar një marrëveshje paqeje midis vendeve. Ai vlerësoi Anutin Charnvirakul të Tajlandës dhe Hun Manet të Kamboxhias për respektin që treguan ndaj njëri-tjetrit, në kontrast të plotë me mënyrën se si ai e përshkroi konfliktin në Lindjen e Mesme dhe luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Ajo që më bën kaq të lumtur janë dy vendet me të cilat kemi të bëjmë… ato e pëlqejnë shumë njëri-tjetrin. Nuk jam mësuar me këtë. Kur bëj këto marrëveshje, zakonisht ka shumë urrejtje”, tha Trump ndërsa udhëheqësit përgatiteshin të nënshkruanin Marrëveshjet e Paqes të Kuala Lumpurit.
Të dy udhëheqësit kishin “respekt të madh për njëri-tjetrin”, tha Trump, gjë që “e bëri pak më të lehtë”.
Krahas marrëveshjes së paqes të nënshkruar nga Trump midis Kamboxhias dhe Tajlandës, Shtetet e Bashkuara do të nënshkruajnë marrëveshje të mëdha ekonomike me të dy vendet.
“Ne gjithashtu po nënshkruajmë një marrëveshje të madhe tregtare me Kamboxhian dhe një marrëveshje shumë të rëndësishme për mineralet kritike me Tajlandën”, ka thënë presidenti amerikan.
Kryeministri kamboxhian Hun Manet dhe kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul, së bashku me Trump dhe kryeministrin malajzian Anëar Ibrahim, nënshkruan marrëveshjen gjatë një ceremonie në skenë përpara një sfondi ku shfaqej vula e Shteteve të Bashkuara dhe fraza “sigurimi i paqes”.
Tensionet kufitare midis dy vendeve shpërthyen në një konflikt pesë-ditor në korrik që la dhjetëra civilë të vdekur dhe qindra mijëra njerëz të zhvendosur.
Presidenti Donald Trump ka marrë meritat për zgjidhjen e konfliktit. Një armëpushim fillestar i ndërmjetësuar në Malajzi u nënshkrua më 28 korrik, pasi presidenti amerikan zhvilloi telefonata me udhëheqësit e të dyja palëve dhe i paralajmëroi të dyja se nuk do të bënte marrëveshje tregtare me asnjërën nëse konflikti vazhdonte.



