Trump: SHBA do ta udhëheqë Venezuelën, pas kapjes së Maduros
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të shtunën se Shtetet e Bashkuara do ta “qeverisin” Venezuelën dhe do t’i shfrytëzojnë rezervat e saj të mëdha të naftës pasi e kapën liderin e saj majtist, Nicolas Maduro, gjatë një operacioni në Karakas.
Njoftimi i Trumpit erdhi disa orë pas një sulmi të shpejtë, ku forcat speciale kapën Maduron dhe bashkëshorten e tij, teksa njëkohësisht sulmet ajrore goditën disa vende, duke e tronditur kryeqytetin.
Një ditë më vonë, të dielën, Maduro u dërgua në një qendër paraburgimi në Nju Jork, dhe pritet të dalë para gjykatës gjatë javës për t’u përballur me akuza për vepra penale të drogës dhe armëve.
Duke folur të shtunën në një konferencë për shtyp në Florida, Trump tha se “ne do ta qeverisim Venezuelën me një grup zyrtarësh”.
“Po caktojmë njerëz”, tha ai, duke përmendur zyrtarët e kabinetit që qëndronin pranë tij, të cilët do të jenë përgjegjës, përfshirë sekretarin e Shtetit Marco Rubi, sekretarin e Mbrojtjes Peter Hegseth dhe gjeneralin amerikan Dan Caine.
Trump gjithashtu theksoi se trupat amerikane mund të vendosen në Venezuelë.
Shtetet e Bashkuara “nuk kanë frikë nga të vendosin ushtarët në terren”, tha ai.
Edhe pse operacioni po paraqitet si veprim ligjor, Trump e bëri të qartë se ndryshimi i regjimit dhe pasuria e naftës së Venezuelës janë synimet kryesore.
“Ne do të sjellim kompanitë tona të naftës nga Shtetet e Bashkuara, më të mëdhatë kudo në botë, për të shpenzuar miliarda dollarë, për të rregulluar infrastrukturën shumë të dëmtuar”, tha ai.
“Do të shesim sasi të mëdha të naftës”, shtoi ai.
Presidenti republikan e postoi një fotografi të Maduros së prangosur në një anije amerikane. Ai dhe bashkëshortja po dërgohen në Nju Jork për t’u përballur me akuza për trafikim me drogë dhe terrorizëm, raporton REL.
Liderja e opozitës venezuelase e mbështetur nga SHBA, Maria Corina Machado, e cila fitoi Çmimin Nobel për Paqe vitin e kaluar, postoi në rrjetet sociale: “Ka ardhur ora e lirisë”.
Ajo bëri thirrje që kandidati i opozitës për zgjedhjet e 2024, Edmundo Gonzalez Urrutia, të “marrë menjëherë presidencën”.
Por, Trump hodhi poshtë çdo pritshmëri që Machado të bëhej liderja e re e Venezuelës. Ai tha se ajo nuk ka “mbështetje apo respekt” atje.
Ai tregoi se mund të punojë me zëvendëspresidenten e Maduros, Delcy Rodriguez, duke thënë se “ajo në thelb është e gatshme të bëjë atë që ne mendojmë se është e nevojshme për ta bërë Venezuelën të madhe përsëri”.
Trump gjithashtu bëri të qartë se prania e SHBA nuk ka gjasa të jetë e shkurtër.
“Jemi aty tani, por do të qëndrojmë deri në kohën kur mund të ndodhë një tranzicion i duhur”.
Para sulmeve, Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar vazhdimisht Maduron se drejton një “narko-shtet” dhe se ka manipuluar procesin zgjedhor.
Aktakuzë kundër Maduros
Më herët, prokurorja e përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, tha se një gjykatë në Nju Jork ka ngritur aktakuzë kundër Maduros dhe gruas së tij, Cilia Flores.
Ajo theksoi se ata do të “përballen së shpejti me të gjithë peshën e drejtësisë amerikane në tokën amerikane, në gjykatat amerikane”.
“Ndaj Maduros është ngritur aktakuzë për komplot për narkoterrorizëm, komplot për importimin e kokainës, posedim të mitralozëve dhe pajisjeve shkatërruese, si dhe komplot për të poseduar mitralozë dhe pajisje shkatërruese kundër Shteteve të Bashkuara”, tha Bondi në një deklaratë.
Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, tha se Venezuela po përjetonte një “agim të ri” pas sulmeve amerikane.
“Një agim i ri për Venezuelën! Tirani është larguar. Më në fund, tani ai do të përballet me drejtësinë për krimet e tij”, shkroi Landau në X.
Qeveria venezuelase theksoi se sulme kanë ndodhur edhe në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira, duke e shtyrë atë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe t’i mobilizojë forcat e mbrojtjes.
Reagimet
Disa vende aleate të Maduros, si Rusia, Irani dhe Kuba, e kanë dënuar operacionin amerikan dhe arrestimin e tij.
Edhe Kina i ka dënuar sulmet amerikane në Venezuelë dhe arrestimin e Maduros.
Ndërkohë, shumë qeveri në mbarë Evropën, përfshirë ato të Polonisë, Britanisë, Belgjikës dhe Italisë, kanë deklaruar se po e ndjekin nga afër situatën dhe po punojnë për të garantuar sigurinë e qytetarëve të tyre në rajon.
Vende të tjera, si Ukraina dhe Kosova, kanë thënë se qëndrojnë fuqishëm përkrah Uashingtonit pas sulmeve.
Trumpi është zotuar vazhdimisht se do të kryente operacione tokësore në Venezuelë, e cila është prodhuese e naftës në Amerikën e Jugut, dhe udhëhiqet nga Maduro që nga viti 2013.
Shtetet e Bashkuara, opozita venezuelase dhe disa vende të tjera thonë se Maduro i manipuloi zgjedhjet vitin e kaluar për të qëndruar në pushtet.
Të hënën, Trump tha se do të ishte “mençuri” për Maduron që të largohet nga pushteti.
Qeveria venezuelase, në deklaratën e saj, tha se qëllimi i sulmit ishte që Shtetet e Bashkuara “t’i marrin në zotërim naftën dhe mineralet e vendit”.
Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara “nuk do të arrijnë” ti marrin këto burime.
SHBA-ja ka bërë një grumbullim të madh ushtarak në rajon, përfshirë një aeroplanmbajtëse, anije luftarake dhe avionë të avancuar luftarakë, të vendosur në Karaibe.
Trumpi i ka zgjeruar sanksionet kundër Qeverisë së udhëhequr nga Maduro dhe ka kryer më shumë se dy duzina sulmesh ndaj anijeve që SHBA-ja pretendon se ishin të përfshira në trafikimin me drogë në Oqeanin Paqësor dhe në Detin e Karaibeve.
Javën e kaluar, Trump tha se Shtetet e Bashkuara kishin goditur një zonë në Venezuelë ku ngarkohen anije me drogë. Kjo ishte hera e parë që dihet se Uashingtoni ka kryer operacione tokësore në Venezuelë që nga fillimi i fushatës së presionit.
Trumpi e ka akuzuar Venezuelën se po e mbush SHBA-në me drogë, dhe administrata e tij prej muajsh ka bombarduar anije që vijnë nga Amerika e Jugut, të cilat pretendon se transportonin drogë.



