Trump: ShBA shkatërroi plotësisht programin bërthamor të Iranit! Bomba depërtoi në Fordow si të ishte gjalpë

29 qershor 2025 | 17:52

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë shkatërruar plotësisht programin bërthamor të Iranit, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si më të fuqishmen ndonjëherë ndaj Teheranit.

Në një intervistë për Fox News, Trump tha: “Programi bërthamor i Iranit u shkatërrua si kurrë më parë. Kjo nënkuptonte fundin e ambicieve të tyre bërthamore – të paktën për një periudhë kohe”.

Deklarata e Trump vjen një javë pas bombardimeve ajrore të SHBA-së ndaj tre impianteve kryesore bërthamore iraniane. Një nga objektet kryesore, sipas tij, ishte objekti nëntokësor në Fordo, për të cilin ai deklaroi: “Bomba depërtoi në strukturë si të ishte gjalpë. Tani aty ka vetëm mijëra tonë gurë. I gjithë kompleksi është rrënuar.”

Trump pretendoi se Irani nuk arriti të largonte uraniumin e pasuruar nga objekti i Fordos përpara sulmit:

“Nuk është e lehtë ta largosh. Është shumë e rrezikshme, shumë e rëndë dhe një proces i ndërlikuar. Për më tepër, nuk patën kohë, sepse nuk e dinin që po i afroheshim.”

Sipas tij, SHBA kishte informacione se Irani ndodhej vetëm disa javë larg prodhimit të një arme bërthamore. Por tani, Trump beson se Teherani nuk ka më as vullnet dhe as kapacitet për të vijuar me programin.

“Gjëja e fundit që duan tani është të mendojnë për energjinë bërthamore. Duhet të përqendrohen fillimisht tek rivendosja e funksionimit të vendit.”

Presidenti amerikan u shpreh gjithashtu optimist se fushata e përbashkët amerikano-izraelite kundër Iranit do të nxisë më shumë vende të nënshkruajnë paqe me Izraelin, në kuadër të Marrëveshjeve të Abrahamit.

“Kemi tashmë disa vende shumë të mira që janë pjesë e marrëveshjeve. Besoj se do të ketë më shumë. Irani ishte pengesa kryesore. Në fakt, në një moment mendoja se edhe Irani mund t’i bashkohej Abraham Accords.”

Deklaratat e Trump pritet të nxisin reagime të forta në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në Teheran. Autoritetet iraniane ende nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj këtyre pretendimeve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i shtabit të forcave të armatosura të Iranit, Abdolrahim…