Trump shpërthen ndaj Zelensky-t dhe Evropës: “Asnjë mirënjohje, BE ende blen naftë nga Rusia”
Ndërsa në Gjenevë po vijojnë diskutimet për planin 28-pikësh të SHBA-së për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një sulm frontal ndaj Volodymyr Zelensky-t dhe ndaj vendeve evropiane, përmes një postimi në platformën e tij “Truth”.
“Asnjë mirënjohje për përpjekjet tona nga ‘udhëheqja’ e Ukrainës”, shkroi Trump, duke akuzuar ndërkohë Bashkimin Evropian se vazhdon të blejë naftë ruse, pavarësisht luftës dhe sanksioneve ndërkombëtare.
Në postimin e tij, Trump deklaron se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës “nuk do të kishte ndodhur kurrë” nëse, sipas tij, në krye të SHBA-së dhe Ukrainës do të kishte “udhëheqje të fortë e të duhur”. Ai akuzon administratën Biden se ka dështuar, duke theksuar se në mandatin e tij të parë “Putini nuk do të guxonte të sulmonte”.
Trump shprehet se trashëgoi “një luftë që nuk duhej të kishte nisur kurrë” dhe se miliona jetë janë humbur “pa nevojë”. Ai shton se udhëheqja ukrainase “nuk ka shprehur mirënjohje”, ndërsa akuzon Evropën se vazhdon të furnizohet me energji nga Rusia.
Sipas tij, SHBA-të po shesin armë në sasi të mëdha për NATO-n, e cila më pas i shpërndan në Ukrainë, ndërsa akuzon presidentin Joe Biden se ka ofruar mbështetje “falas, falas, falas”, duke përfshirë fondet e mëdha për Kievin.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi më herët se tashmë ekziston një mirëkuptim që plani i paqes i propozuar nga SHBA mund të marrë parasysh interesat kombëtare të Ukrainës. Ai nënvizoi se bisedimet synojnë garantimin që çdo element i planit të jetë efektiv në arritjen e objektivit kryesor: t’i jepet fund gjakderdhjes dhe luftës.
Zelensky theksoi se dialogu në Gjenevë ka për qëllim “gjetjen e zgjidhjeve të zbatueshme” për paqen afatgjatë në rajon.



