
Trump: S’ka marrëveshje për Ukrainën pa Zelenskin
Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se nuk do të bënte një marrëveshje me Vladimir Putinin për paqen në Ukrainë pa Volodymyr Zelenskyn.
Duke folur për Fox News Radio përpara samitit të Alaskës, presidenti amerikan tha se mendonte që Putini do të bënte një marrëveshje, por se kjo nuk do të vinte derisa të takohej me presidentin ukrainas.
“Takimi i dytë do të jetë shumë, shumë i rëndësishëm, sepse do të jetë një takim ku ata do të bëjnë një marrëveshje. Dhe nuk dua ta përdor fjalën ‘përçarje’. Por e dini, deri në një farë mase, nuk është një term i keq, në rregull?” tha Trump për Fox News Radio.
Udhëheqësit evropianë e kanë paralajmëruar presidentin amerikan kundër arritjes së një marrëveshjeje pa Ukrainën dhe kanë thënë se Zelensky duhet të jetë i pranishëm për çdo bisedime të ardhshme.
Trump do të takohet me homologun e tij rus për bisedime në një bazë të Forcave Ajrore Amerikane në Alaskë të premten.
Ai vlerësoi se kishte një në katër shanse që samiti i tij të përfundonte në dështim dhe tha se ishte i hapur për të vendosur sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë nëse bisedimet nuk çojnë në paqe.
“Ky takim përgatit takimin e dytë, por ka një shans prej 25 përqind që ky takim të mos jetë një takim i suksesshëm.”
I pyetur nëse do të vendoste sanksione, ai u përgjigj: “Do të vendosja, po… nëse nuk zgjidhet.”