Trump thotë se do të takohet me Xinë gjatë këtij viti

19 shtator 2025 | 20:21

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se do të takohet me homologun kinez, Xi Jinping, gjatë vjeshtës në samitin për Bashkëpunim Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC), që mbahet në Korenë e Jugut.

Udhëheqësi amerikan e bëri këtë njoftim përmes platformës së tij sociale, Truth Social, pasi zhvilloi një bisedë telefonike me Xinë. Trump tha se do të udhëtojë për në Kinë në fillim të vitit të ardhshëm dhe pret që edhe udhëheqësi kinez të vizitojë Shtetet e Bashkuara.

“Sapo përfundova një bisedë shumë produktive me presidentin Xi të Kinës”, shkroi Trump. “Kemi bërë përparim në shumë çështje të rëndësishme, përfshirë tregtinë, fentanilin, për nevojën që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të marrë fund dhe miratimin e marrëveshjes për TikTok-un”.

“Po ashtu u pajtova me presidentin Xi se ne duhet të takohemi në samitin APEC në Korenë e Jugut dhe se unë do të vizitojë Kinën në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Presidenti Xi, po ashtu, do të vijë në SHBA në një kohë të përshtatshme”, shtoi ai.

SHBA-ja dhe Kina aktualisht kanë pezulluar veprimet lidhur me mosmarrëveshjet tregtare, që nisën në prill kur të dyja shtetet kërcënuan me vendosjen e tarifave në mbi 100 për qind ndaj mallrave.

Në gusht, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të mbajtur në fuqi këtë pezullim deri më 10 nëntor. Pekini po ashtu veproi njësoj.

Trump dhe Xi ishin takuar disa herë gjatë mandatit të parë presidencial të udhëheqësit amerikan. Dy udhëheqësit zhvilluan një takim ballë për ballë në Osaka të Japonisë më 2019, ndërkaq Xi kishte shkuar në pronën e Trumpit në Mar-a-Lago më 2017.

Sa i përket telefonatës, sipas medias shtetërore kineze Xinhua, Xi tha se SHBA-ja duhet të shmangë kufizimet e njëanshme tregtare në mënyrë që të mos vihet në rrezik rezultati i rundeve të konsultimeve mes dy palëve.

Ai i përshkroi bisedimet si “pozitive dhe konstruktive”.

Përfaqësuesit e SHBA-së dhe Kinës gjatë kësaj jave në Madrid të Spanjës kanë zhvilluar rundin e katërt të negociatave që kur u përshkallëzuan mosmarrëveshjet tregtare në pranverë./Periskopi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pa u bërë një javë pasi Ambasada e SHBA’së suspendoi…