Trump thotë se është “kurioz” pse Irani nuk është dorëzuar, sipas emisarit Witkoff
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, ka deklaruar se Trump po e vë në pikëpyetje pse Irani ende nuk është “dorëzuar” përballë rritjes së pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për Fox News, Witkoff tha se presidenti amerikan është “kurioz” për qëndrimin e Teheranit, pasi ka paralajmëruar se SHBA mund të ndërmarrë një sulm të kufizuar ushtarak nëse nuk arrihet marrëveshje për programin bërthamor iranian.
SHBA dhe aleatët evropianë dyshojnë se Irani po lëviz drejt prodhimit të një arme bërthamore, akuzë që Teherani e mohon vazhdimisht.
“Nuk dua të përdor fjalën ‘i frustruar’, sepse ai e di që ka shumë alternativa, por është kurioz pse ata nuk kanë… nuk dua të përdor fjalën ‘kapitulluar’, por pse nuk kanë kapitulluar”, ka deklaruar Witkoff, raporton BBC.
“Pse, nën këtë lloj presioni, me këtë nivel të fuqisë detare që kemi atje, ata nuk vijnë tek ne dhe të thonë: ‘Ne deklarojmë se nuk duam armë, ja çfarë jemi të gatshëm të bëjmë?’”, ka shtuar ai.
Sipas tij, është e vështirë që Irani të shtyhet drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
Autoritetet iraniane nuk kanë reaguar publikisht ndaj këtyre deklaratave.
Të martën e kaluar, zyrtarë amerikanë dhe iranianë zhvilluan bisedime indirekte në Zvicër për të frenuar programin bërthamor të Iranit, duke njoftuar se është arritur progres. Megjithatë, dy ditë më pas, Trump deklaroi se “brenda 10 ditëve të ardhshme” do të bëhet e qartë nëse do të ketë marrëveshje apo SHBA do të ndërmarrë veprime ushtarake.
Ndërkohë, SHBA ka shtuar praninë ushtarake pranë Iranit. Mes forcave të dislokuara janë aeroplanmbajtëset USS Gerald R. Ford dhe USS Abraham Lincoln, si dhe shkatërrues, anije luftarake dhe avionë luftarakë.
Brenda Iranit, gjatë fundjavës janë mbajtur protesta antiqeveritare në disa universitete – tubimet e para në këtë shkallë që nga shtypja e përgjakshme e protestave në janar, ku raportohet se mijëra persona humbën jetën.



