
Trump u kërkon grave shtatzëna ta shmangin paracetamolin për shkak të dyshimeve se shkakton autizëm
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar nga gratë shtatzëna të mos përdorin ilaçin Tylenol (i njohur si paracetamol) duke thënë se mund të lidhet me autizmin te fëmijët. Por mjekët dhe shkencëtarët e kanë kundërshtuar menjëherë këtë deklaratë, duke theksuar se nuk ka asnjë provë shkencore që e vërteton këtë.
Gjatë një konference për shtyp, Trump u shpreh: “Mos e merrni Tylenol. Luftoni fort për të mos e marrë.”
Ai gjithashtu sugjeroi që vaksinat për fëmijët, si ato për fruthin, shytat dhe rubeolën, të mos jepen së bashku, edhe pse nuk dha prova për këtë.
Organizatat më të mëdha mjekësore në SHBA, përfshirë Kolegjin Amerikan të Gjinekologjisë, e cilësuan deklaratën e Trump të rrezikshme dhe të pavërtetë.
“Paracetamoli është ndër të paktët ilaçe që janë të sigurta për gratë shtatzëna,” tha presidenti i organizatës, Steven Fleischman.
Sipas mjekëve, shumë gra shtatzëna në botë përdorin paracetamol për të ulur temperaturën apo lehtësuar dhimbjet, të cilat mund të jenë të dëmshme për foshnjën në bark.
Agjencia e barnave në SHBA (FDA) ka njoftuar se do të vendosë një paralajmërim në paketimin e paracetamolit, për të treguar se disa studime kanë ngritur dyshime, por nuk ka ende prova që e lidhin drejtpërdrejt me autizmin.
FDA gjithashtu theksoi se temperatura e lartë gjatë shtatzënisë është e rrezikshme, dhe paracetamoli është ilaçi i vetëm pa recetë i sigurt për ta ulur.