Trump ul tarifat ndaj Kinës pas takimit me Xi Jinping
Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar si “sukses të madh” takimin ballë për ballë me presidentin kinez, Xi Jinping, gjatë të cilit është arritur pajtueshmëri për uljen e tarifave ndaj Kinës dhe nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh të reja tregtare, raportoi Associated Press.
Duke folur për gazetarët në bordin e Air Force One, Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të ulin tarifat e vendosura më herët këtë vit ndaj Kinës – të cilat ishin aplikuar si ndëshkim për shitjen e kimikateve që përdoren për prodhimin e fentanilit – nga 20 për qind në 10 për qind.
Kjo ulje, sipas tij, e çon normën e përgjithshme të tarifave ndaj Kinës nga 57 për qind në 47 për qind.
“Në një shkallë nga 0 në 10, me dhjetën si më të mirën, do të thosha që ky takim ishte një 12”, tha Trump. “Mendoj se ishte një 12”.
Presidenti amerikan deklaroi se Pekini është zotuar të lejojë eksportin e elementeve të rralla tokësore dhe të nisë blerjen e sojës amerikane. Ai shtoi gjithashtu se planifikon të vizitojë Kinën në prill, ndërsa Xi pritet të vizitojë Shtetet e Bashkuara “diku pas asaj kohe”.
Takimi, që zgjati rreth 100 minuta dhe u zhvillua në Korenë e Jugut, përfshiu edhe diskutime për mundësinë e eksportimit të çipave kompjuterikë të avancuar drejt Kinës.
Trump tha se kompania Nvidia do të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me zyrtarë kinezë.
“Mund të nënshkruajmë një marrëveshje tregtare shumë shpejt,” tha Trump. “Nuk kemi shumë pengesa të mëdha përpara”.
Megjithëse presidenti amerikan shfaqi optimizëm, Associated Press shkruan se tensionet mes dy ekonomive më të mëdha në botë mbeten të pranishme, pasi të dyja vendet kërkojnë epërsi në prodhim, inteligjencë artificiale dhe ndikim global – përfshirë çështje si lufta në Ukrainë.
Përdorimi agresiv i tarifave nga Trump që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, i kombinuar me kufizimet kineze për eksportin e elementeve të rralla, i dha takimit një ndjesi urgjence të re.
Të dyja palët janë të vetëdijshme se përshkallëzimi i mëtejshëm do të rrezikonte ekonominë botërore dhe interesat e tyre kombëtare.
Në fillim të takimit, Xi mbajti një fjalim të përgatitur, ku theksoi nevojën për bashkëpunim pavarësisht dallimeve.
“Duke pasur kushte të ndryshme kombëtare, është normale që të mos pajtohemi gjithmonë,” tha ai përmes përkthyesit.
Ndërkaq, agjencia kineze Xinhua raportoi një version të ngjashëm të deklaratës, duke theksuar se “dallimet mes dy ekonomive kryesore të botës janë të pashmangshme”.



