Trump urdhëron Pentagonin të furnizohet me energji nga qymyri
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar Departamentin e Mbrojtjes që të sigurojë energji elektrike nga termocentralet me qymyr, si pjesë e përpjekjeve për të ringjallur industrinë e këtij burimi energjetik.
Urdhri ekzekutiv u nënshkrua gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump u shfaq i shoqëruar nga minatorë me helmeta sigurie.
Dokumenti urdhëron Pentagonit të lidhë marrëveshje afatgjata për furnizim me energji të prodhuar nga djegia e qymyrit, me qëllim garantimin e furnizimit të pandërprerë për instalimet dhe objektet ushtarake strategjike. Administrata Trump është shprehur kritike ndaj burimeve të rinovueshme, sidomos energjisë së erës, të cilën e konsideron të paqëndrueshme.
Gjatë ceremonisë, Trump e cilësoi qymyrin “absolutisht thelbësor për sigurinë kombëtare”, ndërsa përfaqësues të industrisë e vlerësuan duke e quajtur “mbrojtësin më të madh të qymyrit”. Aktualisht, djegia e qymyrit prodhon rreth një të tretën e energjisë elektrike në botë, por mbetet një nga kontribuuesit kryesorë në emetimet e CO₂ dhe ngrohjen globale.
Që nga rikthimi në pushtet në janar 2025, Trump ka ndërmarrë hapa për të mbështetur këtë sektor, madje duke detyruar disa kompani të mbajnë hapur termocentrale që planifikonin t’i mbyllnin. Politika e tij bie ndesh me strategjitë e administratave të mëparshme për uljen e emetimeve dhe me trendin e tregut energjetik.
Prodhimi i qymyrit në SHBA ka rënë për rreth 15 vjet, pasi është zëvendësuar gradualisht nga burime më të lira dhe më të pastra, si gazi natyror dhe energjitë e rinovueshme. Në vitin 2023, qymyri përbënte pak më shumë se 16% të përzierjes energjetike amerikane, krahasuar me rreth 50% në vitin 2000.
Ndërkohë, administrata Trump pritet të anulojë një akt rregullator që shërbente si bazë për politika të shumta për uljen e emetimeve të gazrave serrë, një veprim që mund të ketë pasoja të rëndësishme për rregullimin e sektorit të energjisë dhe funksionimin e termocentraleve në të ardhmen.



