Trumpi autorizon angazhimin e 300 trupave të Gardës Kombëtare në Çikago

05 tetor 2025 | 14:24

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka autorizuar angazhimin e 300 trupave të Gardës Kombëtare në Çikago për të adresuar atë që e ka quajtur krim jashtë kontrollit.

Ky vendim është marrë disa orë pasi autoritetet e imigrimit kanë deklaruar se janë përballur me protestuesit në qytetin e udhëhequr nga demokratët, dhe kanë shtënë me armë ndaj një gruaje të armatosur, pasi ajo dhe të tjerë i kanë nisur makinat drejt makinave të zyrtarëve policorë.

Liderët shtetërorë dhe ata lokalë i kanë kritikuar që disa ditë planet e Trumpit për të angazhuar Gardën dhe e kanë quajtur vendimin abuzim me pushtetin.

Guvernatori i Illinoisit, JB Pritzker ka thënë se Trump po “tenton të prodhojë një krizë”.

Ky njoftim ka ardhur teksa një gjyqtar federal në Portland, Oregon – tjetër qytet liberal – e ka bllokuar përkohësisht administratën Trump nga dërgimi i 200 trupave atje.

Ende nuk dihet nëse edhe në Çikago vendimi do të sfidohet nga gjykatat.

Më herët gjatë javës, presidenti amerikan ka folur para zyrtarëve më të lartë ushtarakë për angazhimin e vazhdueshëm të ushtrisë në qytetet amerikane.

Ai u ka thënë liderëve ushtarakë se dëshiron që qytetet amerikane të shërbejnë si “qendra stërvitjeje” për trupat amerikane, ashtu që ata të mund ta luftojnë “armikun prej brenda” dhe t’i shuajnë trazirat.

Krimi i dhunshëm ka rënë dukshëm në Çikago në dy vjetët e fundit. Megjithatë, në krahasim me vendet tjera, mesatarja është më e lartë.

Vetëm në vikendin e muajit të kaluar, kur është shënuar Dita e Punës, janë regjistruar të paktën 58 të shtëna me armë – tetë prej tyre kanë përfunduar me fatalitet. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pesë persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur…