
Trumpi dhe Bideni përplasen për dhunën në Oregon
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe rivali i tij demokrat, Joe Biden, janë përplasur rreth dhunës që ka shpërthyer në protestat në Portland të Oregonit.
Trumpi e ka fajësuar kryebashkiakun demokrat të Portlandit, Ted Wheeler, për, siç ka thënë lejimin e “vdekjes dhe shkatërrimit të qytetit të tij”.
Bideni ka thënë se presidenti është “inkurajues i pamatur i dhunës”.
Të shtunën në Portland, një person është qëlluar për vdekje, pasi gjetkë nëpër këtë qytet mbështetësit e Trumpit janë përleshur me protestues të lëvizjes “Jetët e afrikano-amerikanëve vlejnë”.
Portland është bërë një vatër e rëndësishme e protestave kundër brutalitetit të policisë dhe racizmit, qëkur afrikano-amerikani George Floyd ka vdekur gjatë arrestimit nga policia, më 25 maj, në Mineapolis.
Vrasja e tij ka shkaktuar një valë të zemërimit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në një seri postimesh në “Twitter”, Trumpi ka thënë se “Portlandi nuk do të shërohet kurrë me kryebashkiak budalla” dhe sugjeroi dërgimin e forcave federale në qytet.
Po ashtu, Trumpi ka thënë se Bideni “nuk është i gatshëm për të udhëhequr”.
Bideni ka thënë përmes një deklarate se Trump “mund të besojë se postimet në “Twitter” për rendin dhe ligjin e bëjnë atë të fortë, porse dështimi për t’iu bërë thirrje mbështetësve të tij që të ndalojnë së kërkuari konflikt, tregon se sa i dobët është”.
Më herët, ushtruesi i detyrës së sekretarit për siguri kombëtare, Chad Wold, ka thënë se zyrtarët demokratë në Portland kanë lejuar zhvillimin e “kaosit” dhe ka shtuar se “të gjitha opsionet për zgjidhjen e situatës janë në tavolinë”.
Demokratët janë përgjigjur duke thënë se dhuna po ndodh nën presidencën e Trumpit dhe e akuzuan udhëheqësin e ShBA-së për përkeqësimin e situatës me retorikën e tij.