Trumpi: Disa raketa Patriotë janë tashmë rrugës për në Ukrainë

16 korrik 2025 | 16:21

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka bërë me dije se disa raketa kundërajrore për sistemin mbrojtës, “Patriot”, janë tashmë rrugës për në Ukrainë, një ditë pasi ka njoftuar se vendet anëtare të NATO-s do të dërgonin armë në Ukrainë.

Trumpi e ka ndryshuar qëndrimin e tij rishtazi, pasi më herët ishte kundër dërgimit të armëve amerikane në vendin e përfshirë nga lufta.

“Ato po vijnë nga Gjermania”, u ka thënë Trumpi gazetarëve, por pa dhënë më shumë hollësi.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka thënë se janë duke u bërë përgatitje për t’ia dorëzuar Ukrainës dy sisteme “Patriot”.

Gjermania do të paguajë për dërgimin e tyre, por hollësitë përfundimtare teknike, logjistike dhe financiare ende nuk janë qartësuar, ka thënë Pistorius të hënën, pas takimit me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, në Pentagon.

Hollësitë “duken të zgjidhshme për të dyja palët, kështu që do të fillojmë punën shpejt”, ka thënë Pistorius, duke theksuar se Ukrainës i nevojiten urgjentisht sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

Dronë rusë “Shahed” kanë sulmuar qytetin e Harkivit në mbrëmjen e së martës, duke plagosur dy njerëz,  kanë raportuar autoritetet vendëse. Guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov, ka thënë se të paktën 17 shpërthime u dëgjuan në qytet brenda 20 minutash.

Trumpi ka thënë se nuk ka folur me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, që nga dita e hënë, kur ka njoftuar se i kishte thënë afat prej 50 ditësh Rusisë ta pranojë një marrëveshje armëpushimi për ta shmangur vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve që bëjnë tregti me Rusinë.

Trumpi nuk ka thënë nëse janë planifikuar bisedime për të arritur një marrëveshje, por mbrojti afatin kohor.

“Në fund të 50 ditëve, nëse nuk kemi një marrëveshje, do të jetë shumë keq”, ka thënë Trumpi. Por, ai gjithashtu ka shtuar se mund të mos nevojiten 50 ditë për të arritur një marrëveshje.

Trumpi është pyetur gjithashtu për një raport të gazetës “The Financial Times”, sipas të cilit ai e kishte nxitur privatisht Ukrainën t’i intensifikonte sulmet në thellësi të Rusisë.

Duke cituar burime të informuara mbi diskutimet, gazeta ka raportuar se Trumpi e kishte pyetur presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nëse ushtria ukrainase mund ta godiste Moskën nëse ShBA-ja do t’i jepte armë me rreze të gjatë veprimi.

“Jo, ai nuk duhet ta sulmojë Moskën”, ka thënë Trumpi për gazetarët kur u pyet nëse Zelensky duhet të urdhërojë sulm mbi kryeqytetin rus.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani ka përuruar aeroportin e restauruar…