
Trumpi do të angazhohet edhe për zgjidhjen politike Kosovë – Serbi
Emisari amerikan për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka thënë se presidenti amerikan Donald Trump do të angazhohet edhe për normalizim të raporteve politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, pasi raportet ekonomike mes të dyja palëve të jenë normalizuar.
Një deklaratë të tillë Grenelli e ka dhënë gjatë një debati që ka pasur me një organizatë të serbëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Fillimisht do të krijohen kushtet për progres në ekonomi në rajonin e Ballkanit Perëndimor, më pas do të merret edhe me çështjet politike”, citohet të ketë thënë emisari amerikan.
Kjo deklaratë e Grenellit vjen pas zhvillimeve të 4 shtatorit në Uashington, ku Kosova dhe Serbia u pajtuan për normalizim të raporteve ekonomike.
Më herët Grenelli kishte thënë se Amerika do të merret vetëm me problemet ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe se Bashkimi Evropian do të merret me pjesën politike.