
Trumpi do t’i drejtohet kombit, ultimatumi për Putinin sa i përket luftës në Ukrainë mbaron sot
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, pritet të japë një deklaratë që mund të jetë vendimtare për rrjedhën e ardhshme të luftës në Ukrainë.
Sipas zyrës së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, fjalimi është planifikuar për orën 14:00 sipas orës së Uashingtonit (ora 21:00 sipas orës së Kosovës).
Deri më tani, mbetet e paqartë se çfarë do të thotë saktësisht Trumpi. Megjithatë, koha i jep njoftimit një rëndësi të veçantë. Sot shënohet afati i fundit i vendosur nga Trumpo për udhëheqësin rus, Vladimir Putin për të arritur një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
Të hënën, “Kyiv Post” ka raportuar se presidenti Volodymyr Zelensky, ka thënë se autoritetet ruse ende nuk tregojnë gatishmëri për negociata të vërteta.
Ai ka kujtuar se pikërisht dy javë më parë në Uashington, presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i kishte dhënë Kremlinit atë afat kohor për të vendosur mbi gatishmërinë e tij për t’u takuar në nivelin e udhëheqësve.
Sipas Zelensky, Ukraina është gati për dialog, por Moska vazhdon të vërë bast për luftën.
“Ukraina është sigurisht gati për këtë. Por e vetmja gjë që po bën Rusia është të investojë në luftë të mëtejshme. Të gjitha sinjalet e tyre tregojnë për këtë”, ka thënë Zelensky.
Si shembull, ai përmendi vizitën e Putinit në Kinë për samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, ku, sipas Zelenskyt, presidenti rus do të “shmanget dhe do të manovrojë”, taktika e tij e preferuar.
Në sfondin e mungesës së gatishmërisë së Kremlinit për bisedime, Zelensky ka theksuar nevojën për të vazhduar presionin ndaj Rusisë.
Ai ka thënë se bota po bën thirrje që lufta të përfundojë, megjithatë Moska e zgjat atë qëllimisht.
“Të gjithë në botë kanë thënë se zjarri duhet të ndalet, të gjithë këmbëngulën që lufta duhet të përfundojë. I vetmi që dëshiron luftë është Rusia”, ka thënë ai.
Më 21 gusht, Trumpi ka vendosur një afat kohor dyjavor për bisedimet e paqes midis Kievit dhe Moskës, duke thënë “pas kësaj do të na duhet ndoshta të ndjekim një qasje tjetër”.
Kjo ka ardhur pas një postimi të fshehtë në “Truth Social” nga udhëheqësi amerikan i cili bashkoi dy fotografi: njëra prej të cilit ai tregonte nga Putini në Alaska dhe një imazh historik të zëvendëspresidentit të ShBA-së, Richard Nixon duke treguar nga udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov.
Është interpretuar si një aludim se presidenti amerikan më në fund mund të jetë i përgatitur të jetë i ashpër me Moskën.