Trumpi firmos vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme lidhur me Ballkanin Perëndimor

24 qershor 2026 | 13:49

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, ka vazhduar edhe për një vit gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare në lidhje me rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Kosova.

Dokumenti me nënshkrimin e Trumpit është publikuar në Regjistrin Federal të ShBA-së.

Në të përmendet se vendimi lidhet me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe me përpjekjet e vazhdueshme të individëve për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të rajonit, për të minuar marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës, si dhe për t’u përfshirë në korrupsion të rëndë që dëmton sundimin e ligjit.

Në dokument përmenden gjithashtu përpjekjet për shmangien e sanksioneve të SHBA-së.

“Më 8 janar 2025, Presidenti nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv 14140, në dritën e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, përfshirë përpjekjet e vazhdueshme të individëve për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të minuar marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës, për t’u përfshirë në korrupsion të rëndë që dëmton sundimin e ligjit dhe besimin në qeverisjen demokratike, si dhe për t’iu shmangur sanksioneve të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, thuhet në dokument.

Sipas ShBA-së, veprimet që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetet penguese, vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikane.

Në vendim thuhet se gjendja e jashtëzakonshme, e shpallur fillimisht me Urdhrin Ekzekutiv 13219 dhe e zgjeruar me urdhra të mëvonshëm, do të vazhdojë të jetë në fuqi edhe pas 26 qershorit 2026.

“Prandaj, në përputhje me nenin 202(d) të Aktit për Emergjencat Kombëtare, unë po e vazhdoj për një periudhë prej një viti gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare të shpallur me Urdhrin Ekzekutiv 13219 në lidhje me Ballkanin Perëndimor”, përfundon dokumenti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja e njohur braziliane dhe një nga tifozet më të…