
Trumpi i kërkon Turqisë t’i ndalë blerjet e naftës nga Rusia
Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë thirrje Turqisë t’i ndalë blerjet e naftës nga Rusia, në kuadër të një përpjekjeje më të gjerë për të ndalur financimin e energjisë nga Moska, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, raporton BBC
Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Recep Tayyip Erdogan, Trump tha se ndalimi i këtyre importeve do të ishte “gjëja më e mirë” që Turqia mund të bënte.
Takimi në Zyrën Ovale përfundoi pa asnjë angazhim të prerë për heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Turqisë ose për shitjen e avionëve luftarakë të avancuar F-35, megjithatë Trump shprehu optimizëm për të dyja çështjet.
Turqia prej vitesh është e ndaluar të blejë avionë F-35 nga SHBA-ja. Në vitin 2019 u përjashtua nga programi, pasi bleu sisteme të mbrojtjes ajrore nga Rusia.
Gjatë një sesioni të shkurtër pyetje-përgjigje me Erdoganin në Zyrën Ovale, Trump tha se do të dëshironte që Turqia të ndalonte blerjet e naftës nga Rusia “ndërsa Rusia vazhdon sulmin e saj ndaj Ukrainës”.
“Gjërat më të mira që ai mund të bëjë janë të mos blejë naftë dhe gaz nga Rusia. Nëse e bën këtë, do të jetë gjëja më e mirë,” tha Trump.
Ai shtoi se beson që Erdogani ka respektin e presidentëve Volodymyr Zelensky të Ukrainës dhe Vladimir Putin të Rusisë, që do të thotë se ai mund të ketë “ndikim të madh” në luftë “nëse dëshiron”.
Së bashku me Indi dhe Kinë, Turqia është ndër klientët më të mëdhenj të Rusisë për eksportet e naftës dhe gazit, dhe të dhënat tregojnë se sasia e gazit rus që mbërriti në Evropë përmes Turqisë u rrit mbi 26% në fillim të këtij viti.
Komentet e presidentit amerikan vijnë pak javë pasi ai tha se është gati të vendosë sanksione më të ashpra ndaj Rusisë nëse vendet e NATO-s plotësojnë kushtet, përfshirë ndalimin e importeve të naftës ruse.
Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Trump akuzoi aleatët e NATO-s se po “financojnë luftën kundër vetes” përmes blerjeve të energjisë nga Moska.
Në mandatet e tij të mëparshme, SHBA-ja e hoqi Turqinë nga programi i avionëve F-35 pas blerjes së sistemit raketor rus S-400.
Një ligj amerikan i mbrojtjes i miratuar në vitin 2020 përfshinte një amendament që ndalon Turqinë të marrë F-35, përveç nëse SHBA-ja certifikon që ajo ka hequr dorë nga S-400.
Disa ligjvënës amerikanë kanë shprehur shqetësim për shitjen e mundshme për shkak të ndërhyrjeve ushtarake turke në Siri dhe shkeljeve në hapësirën ajrore greke.
Së fundmi, grupi dypartiak i Kongresit amerikan “Hellenic Caucus” paralajmëroi kundër lejes për Turqinë për të blerë F-35, duke përmendur bashkëpunimin ushtarak të Ankarasë me Rusinë dhe “mosrespektimin e normave ndërkombëtare dhe parimeve demokratike”.
Megjithatë, në Zyrën Ovale, Trump i tha Erdoganit se ai do të “arrijë sukses” me blerjet që dëshiron.
“Ka nevoja të caktuara tek ai, dhe ne kemi nevoja të caktuara,” tha Trump. “Do të arrijmë një përfundim. Do ta dini deri në fund të ditës.”
Në një intervistë për Fox News, Erdogan komentoi ndalimin e F-35-ve duke thënë: “Nuk mendoj se kjo është shumë dinjitoze për një partneritet strategjik.”
Trump gjithashtu tha se sanksionet ndaj Turqisë, të vendosura në vitin 2020 pas blerjes së S-400, mund të hiqen “shumë shpejt”.
“Nëse kemi një takim të mirë, thuajse menjëherë,” shtoi ai.
Ky ishte takimi i dytë mes Trump dhe Erdogan këtë javë, pas një bisede të shkurtër mbi Gazën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku morën pjesë edhe liderë të disa vendeve arabe dhe myslimane.
Në intervistën e tij për Fox, Erdogan akuzoi aleatin amerikan Izraelin për “gjenocid të plotë” në Gaza dhe fajësoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu – një qëndrim shumë ndryshe nga deklaratat publike të Trump.
Megjithatë, në Zyrën Ovale të enjten, të dy presidentët shmangën konfliktin publik mbi këtë çështje. Izraeli e mohon se po kryen gjenocid në Gaza.