Trumpi i vë dy kushte Iranit për ta shmangur ndërhyrjen ushtarake

30 janar 2026 | 08:15

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se i ka kërkuar Iranit të përmbushë dy kushte kryesore për të shmangur një ndërhyrje ushtarake amerikane, në një kohë kur Uashingtoni po rrit ndjeshëm praninë e tij ushtarake në Gjirin Persik.

“Kushti i parë: asnjë armë bërthamore. Kushti i dytë: ndaloni vrasjen e protestuesve,” tha Trump, duke akuzuar autoritetet iraniane se po i vrasin demonstruesit “me mijëra”.

Presidenti amerikan shtoi se anije të fuqishme luftarake janë nisur drejt Iranit, duke theksuar se “do të ishte mirë nëse nuk do të na duhej t’i përdornim”.

Deklaratat e Trump vijnë pas javësh presioni ndaj Teheranit për të negociuar një marrëveshje mbi programin bërthamor. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, reagoi ashpër duke deklaruar se forcat e armatosura të Iranit janë gati të përgjigjen “menjëherë dhe me forcë” ndaj çdo agresioni.

Më herët, Trump paralajmëroi në platformën Truth Social se një “armadë masive” po i drejtohej Iranit dhe se ajo ishte e gatshme të vepronte “me shpejtësi dhe dhunë, nëse do të jetë e nevojshme”.

Në përgjigje, Araghchi theksoi se Irani mbështet vetëm një marrëveshje bërthamore të drejtë, pa kërcënime dhe presion, duke garantuar përdorimin paqësor të energjisë bërthamore dhe duke përjashtuar armët bërthamore.

Ndërkohë, protestat në Iran nisën në fund të dhjetorit pas rënies së fortë të monedhës kombëtare dhe u shndërruan shpejt në një krizë të thellë politike. Sipas organizatës Human Rights Activists News Agency (Hrana), mbi 6,400 persona janë vrarë që nga nisja e trazirave, shumica protestues.

Autoritetet iraniane raportojnë një bilanc më të ulët viktimash, duke pohuar se shumica e të vrarëve janë pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka futur Gardën Revolucionare Islamike të Iranit në listën e organizatave terroriste dhe ka vendosur sanksione të reja ndaj individëve dhe institucioneve iraniane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sarajeva është qyteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që është…