Trumpi mbyll dyert e Universitetit të Harvardit për studentët e huaj

23 maj 2025 | 08:02

Administrata Trump ka marrë një vendim drastik kundër Universitetit të Harvard-it, duke i revokuar të drejtën për të regjistruar studentë ndërkombëtarë.

Ky hap i papritur nga Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) është interpretuar si ndëshkim për refuzimin e Harvard-it për të zbatuar kërkesat politike të administratës.

“Harvard nuk mund të regjistrojë më studentë të huaj dhe ata që janë aktualisht të regjistruar duhet ose të transferohen ose të rrezikojnë humbjen e statusit ligjor,” thuhet në një deklaratë të DHS.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, urdhëroi revokimin e certifikimit të Harvard-it për Programin e Studentëve dhe Vizitorëve të Shkëmbimit (SEVP), duke përmendur si arsye refuzimin e universitetit për të dorëzuar të dhënat disiplinore të studentëve të huaj të kërkuara nga DHS muajin e kaluar.

Vendimi pritet të prekë ndjeshëm mbi një të katërtën e trupës studentore të Harvard-it, e cila përbëhet në masë të madhe nga studentë ndërkombëtarë.

Profesoriatët kanë shprehur shqetësim se një largim masiv i studentëve të huaj do të godasë rëndë cilësinë akademike të institucionit, në një kohë kur universiteti po përballet me administratën për ruajtjen e autonomisë së tij ideologjike.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se “regjistrimi i studentëve të huaj është privilegj, jo e drejtë” dhe akuzoi drejtuesit e Harvard-it për kthimin e institucionit në një “vatër të anti-amerikanizmit, antisemitizmit dhe nxitësve pro-terroristë.”

Përplasja mes Harvard-it dhe administratës Trump ka ardhur duke u thelluar muajt e fundit, ndërsa administrata ka kërkuar ndryshime në politikat e kampusit, pranimeve dhe punësimeve për të adresuar çështje si antisemitizmi dhe të ashtuquajturat praktika “raciste të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes.” Studentët dhe stafi ndërkombëtar janë vënë në shënjestër për përfshirjen e mundshme në protestat lidhur me luftën Izrael-Hamas.

Drejtuesit e universitetit thonë se shumë prej kërkesave të administratës, përfshirë një “auditim ideologjik” të studentëve dhe stafit, janë në kundërshtim me të drejtat kushtetuese dhe tejkalojnë kompetencat e qeverisë federale.

Harvard është një nga shumë universitete që përballen me presion të ngjashëm, por ka dalë si një nga mbrojtësit më të vendosur të pavarësisë akademike. Universiteti e ka dënuar vendimin për revokimin e SEVP si “të paligjshëm” dhe ka theksuar përkushtimin për të mbështetur studentët ndërkombëtarë.

“Ky veprim hakmarrës rrezikon të dëmtojë seriozisht komunitetin tonë dhe vetë vendin, duke minuar misionin akademik dhe kërkimor të Harvard-it,” tha zëdhënësi i universitetit, Jason Newton.

Aktualisht, Harvard ka mbi 9,900 pjesëtarë në komunitetin akademik ndërkombëtar, ndërsa studentët e huaj përbëjnë rreth 27.2% të regjistrimeve për vitin akademik 2024-2025.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhjetë pacientë me simptoma që tregojnë leptospirozë janë trajtuar në…