
Trumpi mohon se e ka pranuar fitoren e Bidenit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mohuar se e ka pranuar fitoren e rivalit të tij, Joe Biden, në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Më herët përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ai për herë të parë ka shkruar: “Ai fitoi, sepse zgjedhjet u manipuluan”.
Kjo ishte hera e parë që Trumpi ka përmendur fitoren e kundërkandidatit të tij, duke nxitur reagime se ky është një sinjal që ai po e pranon fitoren e Bidenit.
Por, përmes një postimi tjetër, Trumpi ka thënë se “ai nuk ka pranuar asgjë”.
“Ai ka fituar vetëm në sytë e medieve që prodhojnë lajme të rreme. Nuk kam pranuar asgjë. Kemi një rrugë të gjatë përpara. Këto kanë qenë zgjedhje të manipuluara”, ka shkruar Trumpi.
Bideni është projektuar fitues, tetë ditë më parë, nga të gjitha mediet kryesore të ShBA-së, pasi rezultatet jozyrtare i dhanë atij më shumë se 270 votat e Kolegjit Zgjedhor, të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë.
Trumpi dhe ekipi i tij ligjor kanë filluar një sërë sfidash përkundër faktit se zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin kanë thënë se nuk panë prova të parregullsive serioze.
He only won in the eyes of the FAKE NEWS MEDIA. I concede NOTHING! We have a long way to go. This was a RIGGED ELECTION!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) November 15, 2020
Për të siguruar rizgjedhjen, Trumpot do të duhet të përmbysë epërsinë e Bidenit në disa shtete, një rezultat që shumica e analistëve kanë thënë se nuk ka shumë gjasa të ndodhë.
Fushata e Trump megjithatë ka shënuar një fitore ligjore më 14 nëntor kur një gjykatës i Pensilvanisë ka urdhëruar qarqet të mos numërojnë një numër të vogël të fletëvotimeve me postë, ose të rasteve kur votuesi nuk ka paraqitur identifikimin e vlefshëm në kohë.
Numri i fletëve të votimit besohet të jetë disa mijëra, të cilat janë shumë pak për të ndryshuar rezultatin në Pensilvani, ku Biden mban një epërsi prej rreth 55 000 votash.
Gjykatat në Pensilvani dhe dy shtete të tjera – Arizona dhe Miçigan kanë hedhur poshtë padi të tjera.
Zyrtarët e lartë federalë dhe shtetërorë, përgjegjës për sigurinë e zgjedhjeve thanë më 12 nëntor se nuk kishte “asnjë provë” që votat në ndonjë mënyrë ishin të komprometuara ose të ndryshuara.
He won because the Election was Rigged. NO VOTE WATCHERS OR OBSERVERS allowed, vote tabulated by a Radical Left privately owned company, Dominion, with a bad reputation & bum equipment that couldn’t even qualify for Texas (which I won by a lot!), the Fake & Silent Media, & more! https://t.co/Exb3C1mAPg
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) November 15, 2020