Trumpi nuk është ‘i kënaqur’ me udhëheqësin e ri të Iranit
09 mars 2026
| 13:13
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se nuk është “i kënaqur” me emërimin e Mojtaba Khameneit si udhëheqësi i ri suprem në Iran, raporton “Fox News”.
Prezantuesi televiziv, Brian Kilmeade, ka njoftuar se ka folur me presidentin pas njoftimit, i cili i ka thënë: “Nuk jam i kënaqur”.
Kilmeade nuk ka dhënë detaje shtesë të bisedës që ka zhvilluar me presidentin amerikan.
Mojtaba Khamenei, djali i dytë i Ajatollah Ali Khameneit, pritet të konfirmohet zyrtarisht si udhëheqësi i tretë suprem në historinë e Iranit. Ky emërim shënon tranzicionin e parë me natyrë trashëgimore në majën e hierarkisë shtetërore dhe fetare iraniane, duke zëvendësuar babanë e tij të ndjerë.



