Trumpi paralajmëron tarifa të reja

07 korrik 2025 | 08:22

Presidenti Donald Trump deklaroi se administrata e tij do të nisë të dërgojë këtë të hënë (7 korrik) letra zyrtare për partnerët tregtarë të SHBA-së, për të përcaktuar tarifa të reja tregtare, mes pasigurive në rritje lidhur me afatet e zbatimit të këtyre masave.

“Mund të jenë 12, ndoshta 15 letra. Disa marrëveshje janë bërë tashmë, ndërsa të tjerat do të përfshihen në letrat që do të dërgohen“, shkroi Trump në rrjetin social Truth.

Administrata kishte parashikuar më herët një pauzë 90-ditore për hyrjen në fuqi të tarifave, që skadon më 9 korrik.

Por pas pyetjeve të shumta, Trump nuk ofroi një datë të qartë për zbatimin e masave të reja. “Do të ketë tarifa… mendoj se shumica do të jenë të përfunduara deri më 9 korrik,” tha ai.

Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, u përpoq të sqarojë situatën duke deklaruar se tarifat do të hyjnë në fuqi më 1 gusht, edhe pse letrat dhe marrëveshjet po përgatiten tashmë.

Në prill, Trump kishte njoftuar një tarifë bazë prej 10% për shumicën e vendeve, me shtesa deri në 50%, por më pas shtyu zbatimin për shumicën e tyre deri më 9 korrik. Data e re, 1 gusht, ofron një afat shtesë prej tre javësh, por ka shtuar pasigurinë për importuesit dhe tregjet globale.

Tregjet në Azi reaguan me rënie të lehtë për shkak të paqartësive. Indeksi Nikkei i Japonisë ra me 0.3%, ndërsa aksionet në Korenë e Jugut ranë me 0.7%. Indeksi MSCI për Azi-Paqësorin jashtë Japonisë shënoi rënie prej 0.1%.

Në një përditësim të mëvonshëm në platformën e tij Truth Social, Trump konfirmoi se “Letrat dhe/ose Marrëveshjet Tarifore” do të dërgohen duke filluar nga ora 12:00 ET të hënën. Ai gjithashtu njoftoi se vendet që mbështesin politikat “anti-amerikane” të bllokut BRICS do të përballen me një tarifë shtesë prej 10%, pa përjashtime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot mbahet ceremonia e hapjes së edicionit të 24-t të…