Trumpi paralajmëron zhvendosje të ndeshjeve të Kupës së Botës 2026 nga qytetet e pasigurta

26 shtator 2025 | 12:35

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se është i gatshëm të zhvendosë ndeshjet e Kupës së Botës 2026 nga çdo qytet amerikan që ai e konsideron të pasigurt. Kupa e Botës do të bashkëorganizohet nga ShBA-ja, Kanadaja dhe Meksika, me 78 nga 104 ndeshjet që do të luhen në tokën amerikane, përfshirë edhe finalen.

Në listën e 11 qyteteve pritëse në ShBA janë Atlanta, Bostoni, Dallasi, Houstoni, Kansas City, Los Angeles, Miami, Nju-Jorku/Nju Jersey, Philadelphia, San Francisco dhe Seattle. Pikërisht për këto tri të fundit, bastione demokrate, Trumpi është shprehur më i shqetësuar, duke i cilësuar potencialisht të pasigurta.

“Do të jetë e sigurt për Kupën e Botës. Por nëse mendoj se nuk është, ndeshjet do t’i zhvendosim në një qytet tjetër”, ka thënë Trumpi nga Zyra Ovale.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse presidenti amerikan ka autoritet të drejtpërdrejtë për të ndryshuar qytetet pritëse, pasi organizimin e ka në dorë FIFA. Një ndryshim i tillë do të sillte sfida të mëdha logjistike. Trumpi, megjithatë, gëzon marrëdhënie të afërta me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, dhe udhëheq taskforcën e posaçme për Kupën e Botës.

Trumpi ka vendosur luftën kundër krimit në qendër të politikës së tij dhe muajt e fundit ka angazhuar Gardën Kombëtare në disa qytete amerikane, përfshirë Uashington DC dhe Los Angeles.

Kupa e Botës 2026 do të mbahet nga 11 qershori deri më 19 korrik, ndërsa shorti për fazën e grupeve është planifikuar më 5 dhjetor në Uashington DC.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar për 8…