Trumpi pezullon ndihmat për Minnesotan: 129 milionë dollarë të bllokuara
Administrata e presidentit Donald Trump ka vendosur të pezullojë 129 milionë dollarë fonde federale për Minnesota-n, duke pretenduar se në shtet ka ndodhur një skandal mashtrimi i gjerë.
Vendimi u bë publik nga sekretarja e Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA), Brooke Rollins, e cila shpërndau një letër drejtuar guvernatorit Tim Walz dhe kryebashkiakut të Minneapolis, Jacob Frey.
Rollins akuzoi autoritetet lokale se nuk kanë marrë masa për të ndalur mashtrimet e kryera nga organizata jo-fitimprurëse dhe biznese, duke paralajmëruar se çdo pagesë e ardhshme federale për shtetin do të kërkojë justifikim të plotë.
“Administrata Trump refuzon të lejojë që ky mashtrim të vazhdojë,” shkroi ajo, citon The Guradian.
Reagimet në Minnesota kanë qenë të ashpra. Zëdhënësi i qytetit të Minneapolis, Brian Feintech, tha se ndërprerja e fondeve dëmton banorët më të varfër dhe e cilësoi vendimin si një sulm politik ndaj qytetit.
Prokurori i Përgjithshëm i shtetit, Keith Ellison, reagoi publikisht duke paralajmëruar se do ta çojë çështjen në gjykatë: “Nuk do të lejoj që t’u hiqni ndihmën banorëve të Minnesota-s në nevojë.”
Vendimi i USDA-së vjen paralelisht me një gjykim federal që ndalon administratën Trump të bllokojë fondet për subvencionet e kujdesit ndaj fëmijëve dhe programe të tjera sociale në pesë shtete të drejtuara nga demokratët, përfshirë Minnesotan.
Administrata Trump ka shënjestruar Minnesota-n gjatë vitit të fundit, duke e lidhur me mashtrime të supozuara që përfshijnë komunitetin somalez. Prokurorët federalë vlerësojnë se deri në 9 miliardë dollarë janë vjedhur përmes skemave të lidhura me këtë komunitet. Në nëntor të vitit 2025, Trump hoqi mbrojtjet ligjore për emigrantët somalezë, duke deklaruar se “bandat somaleze po terrorizojnë popullin e atij shteti dhe miliarda dollarë mungojnë.”



