
Trumpi: Putini dhe Rusia janë në TELASHE të MËDHA
Presidenti amerikan Donald Trump ka befasuar opinionin ndërkombëtar me një qëndrim të ri lidhur me luftën në Ukrainë, duke deklaruar se Rusia është përballur me “probleme të mëdha ekonomike” për shkak të luftës, dhe se tani është momenti që Ukraina, me ndihmën e Evropës dhe NATO-s, të rikthejë të gjithë territorin e saj.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin e tij social, Trump ka theksuar se Rusia është duke zhvilluar “një luftë pa kuptim” për më shumë se tre vjet e gjysmë, e cila, sipas tij, një superfuqi e vërtetë do ta kishte përfunduar brenda një jave.
“Putin dhe Rusia janë në TELASHE të MËDHA ekonomike dhe tani është momenti që Ukraina të veprojë. Ky nuk është kompliment për Rusinë – përkundrazi, e bën të duket si një ‘tigër prej letre’”, ka shkruar Trump.
Ai paralajmëron se në momentin që qytetarët rusë në Moskë dhe qytetet e tjera më të mëdha të vendit ta kuptojnë realisht koston e kësaj lufte – përfshirë mungesat e karburantit dhe vuajtjet ekonomike – situata mund të ndryshojë rrënjësisht.
“Ukraina, me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, është në pozitë të rikthejë të gjithë territorin e saj historik, madje ndoshta edhe më shumë. Ka shpirt të madh dhe çdo ditë bëhet më e fortë”, thekson Trump.
Ky deklarim përfaqëson një ndryshim të madh në retorikën e Trump, i cili më parë ishte shprehur skeptik për fitoren e Ukrainës dhe shpesh kishte kritikuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa ndaj presidentit rus Vladimir Putin kishte treguar më shumë simpati.
Trump e publikoi mesazhin menjëherë pas një takimi me presidentin Zelensky në Nju Jork, të zhvilluar pas fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Gjatë takimit, Trump për herë të rrallë shprehu vlerësime për lidershipin ukrainas, duke e quajtur Zelenskyn “një njeri të madh” dhe duke thënë se po udhëheq “një luftë jashtëzakonisht të fortë”.
“Kemi respekt të madh për luftën që po bën Ukraina – është vërtet e jashtëzakonshme”, tha Trump për mediat.
Në deklaratat për gazetarë, ai gjithashtu sugjeroi që NATO duhet të rrëzojë avionët rusë nëse ata hyjnë në hapësirën ajrore të vendeve anëtare, duke shtuar se mbështetja amerikane “varet nga rrethanat”.